Ndeshjet e turit final të Kupës së Shqipërisë për meshkuj, do të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten në Shkodër, duke marrë parasysh kërkesën e klubit shumësportësh “Vllaznia” dhe tashmë çdo gjë duket gati për këtë eveniment.
Pallati i sportit “Qazim Dervishi” do të presë katër ekipet më të mira, Studentin, Vllazninë, Tiranën dhe Teutën, që do të diskutojnë me njëra-tjetrën fitoren e këtij trofeu. Takimi i parë gjysmëfinal do të jetë Vllaznia-Teuta, që do të luhet të mërkurën në orën 17.00, ndërsa dy orë më vonë në parket do zbresin dy ekipet e tjera, Studenti dhe Tirana, për të caktuar finalisten e dytë. Takimi për vendet 3-4 do të zhvillohet të enjten në orën 17.00, ndërsa finalja në orën 19.00. Kuptohet që pritet të ketë interesim nga ana e sportdashësve shkodranë, sepse Vllaznia ka pretendimet e veta për ta fituar këtë trofe. Skuadra e drejtuar nga Artan Kalaja udhëheq për momentin edhe kampionatin dhe tashmë objektivi i radhës do jetë fitimi i Kupës së Shqipërisë, një trofe ky që i mungon Vllaznisë prej 27 vitesh. “Jemi në një moment të mirë në kampionat, e kryesojmë atë dhe kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Shpresoj që kjo të jetë një ogur i mirë edhe për Kupën e Shqipërisë, të cilën e zhvillojmë para tifozëve tanë dhe duam t’u dhurojmë atyre një trofe, pasi na kanë mbështetur gjithnjë”, shprehet trajneri i ekipit shkodran të rrjetës, Artan Kalaja.