Pas humbjes së pësuar javën e kaluar ndaj Erzenit, Vllaznia e volejbollit të meshkujve është rikthyer sërish tek fitorja. Ajo ka mundur një prej ekipeve rivale të saj, pikërisht Partizanin me rezultatin e pastër 3-0 në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Ndonëse kuqeblutë nuk e nisën mirë ndeshjen, ata arritën ta kalojnë avantazhin në favorin e tyre dhe për rrjedhojë i kanë fituar të tre setet njëri pas tjetrit me shifrat 25 me 23, 25 me 18 dhe të fundit 25 me 15.
Me këtë fitore, Vllaznia ruan vendin e dytë në renditje dhe me paraqitjet që po bën padyshim që konsiderohet favorite për fitimin e të dy trofeve të këtij sezoni, titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë.
Krejt ndryshe ndërkohë ka ndodhur me ekipin e femrave të Vllaznisë në ndeshjen e rradhës. Ndonëse ai udhëhiqte me rezultatin 2-0 ndaj Barleti Volej dhe u krijua bindja se do ta fitonte ndeshjen, nuk ka ndodhur kështu
sepse miket kanë arritur të përmbysin gjithçka dhe kanë fituar në fund me rezultatin 3-2. Trajneri Mark Kroqi në prononcimin e tij pas ndeshjes sigurisht që ka shprehur keqardhjen për humbjen e këtij takimi që sipas tij ka ardhur nga mungesa e përvojës së vajzave shkodrane.
Por pavarësisht humbjes, ekipi i femrave të Vllaznisë pritet që nga java në javë të rrisë performancën e tij në mënyrë që në fund të kampionatit, të arrijë objektivin për të qenë në mes 4 ekipeve më të mira të vendit.