Sapo kanë dëgjuar në Star Plus Tv historinë e Serenës, volejbollistes 15 vjeçare nga Durrësi e strehuar në Shkodër banesa e së cilës është dëmtuar nga tërmeti, skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra me të rriturat, të rejat dhe paratërejat i kanë bërë një surprizë Serena Mexhidit duke e vizituar në hotelin në hyrje të Shkodrës ku është strehuar bashkë me familjen. Një moment emocionues për Serenën dhe familjarët e saj. Në shenjë simbolike vajzat shkodrane i dhuruan një bluzë të Vllaznisë Serenës dhe një top volejbolli bashkë me emrat e tyre duke i treguar se 15 vjeçarja dhe gjithë bashkëmoshatërt e tjerë janë në zemrat e tyre në këto ditë ku dhimbja është kryefjalë…
Këto nuk ishin të vetmet surpriza për Serenën volejbolliste. Trajneri i Vllaznisë i të rejave Besnik Lisha i bëri një ftesë direkte për sa kohë 15 vjeçarja të qëndrojë në Shkodër sepse në sport asnjëherë nuk ka kufij e as ndasi aq më tepër në këto momente ku të gjithë janë zemërthyer…
Kjo vizitë surprizë e volejbollisteve të Vllaznisë është për t’u solidarizuar sa më shumë me Serenën, shprehet lojtarja Stela Kiri dhe gjithë të prekurit nga tërmeti por edhe si një mesazh bashkimi për gjithë pjesën tjetër të shoqërisë në këto ditë të vështira që kanë tronditur çdo shqiptar…
Trjaneri i Vllaznisë në volejboll për femra Mark Kroqi, njëkohësh edhe drejtor i “Sport Klub Vllaznia” përveç ngrohtësisë dhe momenteve me 15 vjeçaren Serena Mexhidi shprehet se do të ndërmarrë një nisëm që shumësportëshi në Shkodër të kontribuojë me vlera monetare për familjet e prekura nga tërmeti duke ia bashkuar miliona shqiptarëve që po dhurojnë në disa raste edhe qindarkat e fundit që e nesërmja të jetë e ndritur për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët e prekur nga tërmeti tragjik…
Serena Mexhidi pas kësaj surprize dhe dhuratave të bukura përjetoi emocione të forta nga kjo vizitë e volejbollisteve të Vllaznisë të cilat nga sot e tutje do të jenë disa nga mikeshat më të mira të saj që nuk do t’i harrojë asnjëherë duke shënjuar tek ajo një moment të papërsëritshëm dhe shpresëdhënës…
Sporti nuk është thjeshtë një garë, thjeshtë një rivalitet apo një lojë që mbet brenda fushave në godinat sportive. Është shumë më shumë, një armë e fortë solidariteti, përkrahje e një force të papërshkrueshme që nuk e dridh as tërmeti 6.4 ballë. Në një rast si ky me mijëra familje të prekura nga tërmeti sporti bashkon, jep një mesazh e përcjellë emocione prekëse për mbarë shoqërinë dhe jo vetëm për Serenën e cila ka edhe një arsye shumë më të madhe jo vetëm për të mos u mposhtur por edhe për ta vijuar ëndrrën e saj që një ditë të jetë një volejbolliste e Teutës e aq më tepër një qytetare shembullore. Të gjithë jemi me Serenën dhe mijëra familje të tjera që përjetuan tmerrin e atij tërmeti të 26 nëntorit si e vetmja mundësi që Durrësi, Thumana, Tirana, Lezha dhe Laçi të ringrihen për të gjetur dritën ndriçuese në fundi e këtij tuneli.