Këtë të premte pas insistimit të gazetareve për të ditur se çfarë po ndodh aktualisht dhe çfarë masash po merren për Vllazninë kryetarja e bashkisë Shkodër e njëkohësisht edhe presidentja e skuadrës kuqeblu bëri me dije se të shtunën do të kishte një deklaratë për shtyp.
Po në këtë ditë paraqitet zyrtarisht edhe dorëheqja e administratorit Astrit Gjyrezi pas dy vitesh në këtë post. Gjyrezi bën me dije se që nga emërimi i tij si administrator e deri më tani tek Vllaznia është munduar të zgjidhë problemet që ka gjetur dhe hasur gjatë rrugës tek Vllaznia.
Ndërkohë edhe zonja Ademi në faqen e saj zyrtare në Face Book publikon një postim ku në të shkruan:
MBI ANGAZHIMIN TIM PERSONAL DHE INSTITUCIONAL PËR SITUATËN NË KLUBIN E FUTBOLLIT VLLAZNIA
E vetëdijshme maksimalisht për situatën delikate që po kalojnë tifozët, futbolldashësit shkodranë dhe jo vetëm, për mosarritjen e objektivit për të qëndruar në Kategorinë Superiore, si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës, dua të siguroj të gjithë qytetarët që, prej dy javësh po bëhet një analizë e thellë mbi përgjegjësitë konkrete të gjithsecilit.
Paralelisht, një grup pune është ngritur për mbylljen e dokumentacionit të vlerësimit të privatizimit. Ky është një moment jo i mirë për të gjithë ne, ku ndjesa publike e klubit nuk mjafton, por duhet një analizë e thellë dhe një alternativë për një zgjidhje perfundimtare.
Angazhimi im si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë në asnjë moment, për ta rikthyer skuadrën tonë në elitën e futbollit shqiptar, aty ku e ka vendin. Respekt për çdo tifoz, për të gjithë ata që janë me zemër të thyer.
I mirëkuptoj të gjithë, përfshirë edhe më radikalët karshi Voltanës, e njëherësh i garantoj që angazhimi mbetet i jashtëzakonshëm për të gjetur forcën dhe për të nisur një rrugë të re.
Sa i përket këtij postimi komentet e qytetarëve shkodranë dhe tifozëve të Vllaznisë kanë qënë nga më të shumtat ku kryesisht i kërkojnë që klubi ti kalojë privatizimit pasi vetëm kështu Vllaznia do të rikthehet në kohët e saj më të mira.