Shoqata e Bashkive të Shqipërisë mblodhi sot Asamblenë e Përgjithshme dhe mori vendime të rëndësishme si; bashkimi i shoqatave të bashkive dhe komunave në një trupë, përcaktimi se anëtarë të këtij organizmi nuk do të jenë personat me precedent penalë, si dhe zgjodhi kryetare të shoqatës së bashkive të Shqipërisë znj Volatana Ademi, kryebashkiake e Shkodrës.
Znj. Ademi do të jetë e para kryetare grua e shoqatës më të madhe në vend që mbron interesat e pushtetit vendor dhe zgjerimit të autonomisë vendore. Asambleja e Përgjithshme vendosi gjithashtu të bëjë anëtarë me të drejta të plota edhe këshilltarët bashkiakë, ndërsa u dha statusin e të ftuarve administratorëve të njësive vendore. Asambleja e Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive bëri pjesë të statusit të saj dekriminalizimin, duke vendosur që individët me rekorde kriminale e penale të mos jenë pjesë e kësaj organizate. Pas këtyre vendimeve të rëndësishme, kryetarja e shoqatës znj.Voltana Ademi lexoi një rezolutë e cila u miratua njëzëri nga Asambleja e Përgjithshme. Rezoluta shpreh nevojën e përshpejtimit të reformave për qeverisjen vendore dhe vijimësinë e decentralizimit për të ofruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët.