Presidentja e re e Bashkimit Evropian po bën presion, që blloku të hap bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pasi liderët e BE-së nuk arritën të bien dakord muajin e kaluar për fillimin e negociatave.
Ursula von der Leyen tha në Berlin të premten se BE kërkoi shumë nga të dy vendet “dhe këto dy vende i përmbushën të gjitha detyrat”.
“Tani edhe ne duhet t’i qëndrojmë fjalës sonë dhe t’i bëjmë të mundshme bisedimet e anëtarësimit,” theksoi ajo.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte kundërshtari më i fortë i bisedimeve të anëtarësimit në samitin e BE të muajit të kaluar, duke argumentuar se procedurat e zgjerimit duhet së pari të përmirësohen.
Von der Leyen tha se nëse Evropa nuk ofron perspektivë në Ballkanin Perëndimor, “atëherë të tjerët do të futen në këtë hendek, qoftë Kina, Rusia, Turqia apo Arabia Saudite.”
Në një intervistë me revistën The Economist, të publikuar të enjten, Presidenti Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për të reformuar procedurat e anëtarësimit para se të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Nëse duam një Evropë të fuqishme, ajo duhet të lëvizë më shpejt dhe të jetë më e integruar. Kjo nuk përputhet me hapjen e një procesi zgjerimi tani”, tha Macron.
“Pyetini ata (vendet e BE-së) nesër nëse duan të hapin derën për Shqipërinë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Ata duan të hapen me Maqedoninë e Veriut, e cila është vend i vogël dhe ka ndryshuar emrin, gjë që është një arritje e vërtetë historike. Nuk frikëson askënd. E vërteta është që nëse nuk i hapemi Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Kudo ka komunitete shqipfolëse.
Nëse poshtëron Shqipërinë, atëherë rajoni destabilizohet në mënyrë të pakthyeshme. Pra, bindja ime është se, së pari, ne duhet të reformojmë procedurat tona të anëtarësimit, të cilat nuk janë më të përshtatshme për qëllimin e tyre, nuk janë strategjike.
Ato nuk janë politike, janë tepër burokratike dhe jo të kthyeshme, ndërkohë që duhet të jemi në gjendje në një moment të caktuar të marrim në konsideratë çështjen e kthyeshmërisë,” tha Presidenti Macron.