Numërimi i votave edhe për këshillat bashkiak në qarkun Shkodër ka përfunduar përveçse në Malësinë e Madhe. Që prej mbrëmjes së djeshme procesi i numërimit të votave në KZAZ-në e Malësisë së Madhe u ndërpre me idenë për të rinisur pas disa orësh. Por në fakt kjo nuk ndodhi deri në orën 12:00 të 17 majit, një kohë shumë e gjatë dhe e pakuptueshme. Pakënaqësitë e partive kryesore për numrin e mandateve në këshillin bashkiak të Malësisë së Madhe kanë bërë që ky proces të mos rifillonte në kohën e duhur duke e stërzgjatur procesin e numërimit të votave për këshillin bashkiak atje. Deri në orën 12 ishin edhe 20 kuti ende të panumëruara nga 72 që ka në total Malësia e Madhe.

Deri në atë moment kryesonte Partia Social Demokrate me 8 mandate të siguruara, 7 mandate Partia Socialiste, nga tre mandate koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Agrare Ambjentaliste, nga dy këshilltarë Partia Demokratike Zyrtare, LZHK dhe Aleanca Arbnore Kombëtare si dhe nga një mandat Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Aleanca Demokristiane e Shqipërisë dhe Ardhmërija Shqiptare. Ndërkohë pritet që deri në orët e darkës të 17 majit procesi i numërimit të votave për këshillin bashkiak në Malësinë e Madhe të përfundojë edhe atje për të përmbyllur plotësisht këtë proces në qarkun Shkodër. Pavarësisht se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve përmes udhëzimeve i ka bërë të ditur KZAZ-ve se procesi i numërimit edhe për këshillat bashkiak duhej të vazhdonte pa ndërprerje për të patur sa më parë rezultatet finale të votave, në Malësinë e Madhe nuk ndodhi një gjë e tillë. Ndërkohë sa i përket bashkisë, kryebashkiaku aktual Tonin Marinaj konfirmoi mandatin e tretë në Malësinë e Madhe teksa fitoi me 9139 vota përkundrejt 6892 votave që siguroi kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Isa Rama në këtë garë elektorale.

Artikulli paraprakVAU I DEJËS, POLICIA SQARON VIDEON E NJË SHTETASEJE DUKE QËLLUAR ME ARMË NË AJËR
Artikulli tjetërRAMA PAS FJALËS NË SAMITIN E KIE: T’I HIQET NJOLLA SHQIPËRISË DHE UÇK-SË