Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli në faqen e saj e-procurement, tenderin 373 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Sipas njoftimit, tenderi do të jetë me dy faza. Faza e parë, ajo e parakualifikimit do të mbyllet në datën 24 janar. Më pas kompanitë e kualifikuara do të garojnë në fazën e dytë me ofertën financiare. Në 26 shkurt u firmos në Londër marrëveshja e financimit për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore. Marrëveshja është nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe BERZH. Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, por një pjesë e kostos mbulohet nga BERZH dhe BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë nga buxhetit i shtetit.

Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore, e cila do të shërbejë për transport udhëtarësh, mallrash, por edhe për qëllime ushtarake. Për këtë linjë hekurudhore është vendosur si afat përfundimi viti 2030. Projekti është pjesë e zgjatimit të “Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor”, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut. Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985. Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm, por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët.

Ky është projekti i dytë që Qeveria Shqiptare po zhvillon në sektorin hekurudhor pas asaj Tiranë-Durrës me degëzim në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, e cila është ende larg realizimit dhe ka shkelur disa herë afatet e vendosura. Shqipëria është ndër të vetmet vende në Evropë që nuk ka linja hekurudhore funksionale, pasi ato ekzistueset u lanë të degradohen. Projekti i parë që ka nisur është ai i linjës Tiranë-Durrës-Rinas, i cili po ecën më ritme të ngadalta dhe nuk dihet nëse do ta shkelë sërish afatin e vendosur në vitin 2025.

Artikulli paraprakSHKODËR, 15-VJEÇARI KANOS ME THIKË 13-VJEÇARIN, PROCEDOHET PENALISHT
Artikulli tjetërTË MITURIT QË SULMOJNË ME THIKË, 3 RASTE NË SHQIPËRI GJATË 24 ORËVE TË FUNDIT