Ligji për teatrin mori 75 vota pro, por pak orë pas votimit LSI ka hedhur akzua të forta pasi sipas saj Vangjel Tavo që rezulton në tabelë të ketë votuar pro ligjit nuk ka qenë fare gjatë seancës së djeshme, madje nuk është fare në Tiranë.

I pari ishte kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili, i cili kërkoi anulimin menjeëherë të votimit të manipuluar.

Vasili publikoi listën e votuesve, ku duket që midis deputetëve rezulton që pro të ketë votuar edhe Vangjel Tavo.

I kontaktuar, deputeti i LSI-së Vangjel Tavo tha se nuk ka qënë i pranishëm në sallë për arsye shëndetësore, madje nuk ndodhet fare në Tiranë.

Tavo sqaron se kartat e deputetëve rrinë mbi tavolinë dhe ai nuk ka dijeni se kush mund të ketë votuar në emër të tij.

“Nuk kam qenë në seancë dje për arsye shëndetësore. Nuk jam fare në Tiranë. Nuk e kam idenë çfarë ndodhi. Kartat e deputetëve qëndrojnë gjithmonë në tavolinat e tyre në Kuvend”.

Për kreun e grupit të LSI-së, ky është një manipulim banditesk dhe vjedhje votash edhe brenda sallës së Kuvendit nga po ata që vodhën votat në 25 qershor.

“Ky votim është nul dhe Kryetari i Kuvendit Ruçi duhet te deklarojë që sot anulimin e votimit dhe përsëritjen urgjente të votimit, përndryshe ai si institucion ka rënë juridikisht, politikisht e moralisht. Prokurorja e Përgjithshme të fillojë hetimin për këtë vepër penale shumë të rëndë të manipulimit të votimit parlamentar. Tanimë hajdutët e votave janë ulur këmbëkryq në Parlament dhe në krye të qeverisë”.
Ora News ka kërkuar një reagim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pret një përgjigje për këtë pretendim.

Në seancën e një dite më parë, ligji për teatrin u miratua me 75 vota pro.

Në votim nuk mori pjesë Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i cili la seancën pak minuta para votimit.

Vota apo jo e Tavos, ligji do të quhej i miratuar edhe me 74 vota pasi miratohet me shumicë të thjeshtë.

Artikulli paraprak520 TËRMETE NË DY DITË, LËKUNDJET PRITET TË VAZHDOJNË MË TË LEHTA
Artikulli tjetërHETIMET PËR GULENIN NË TURQI, URDHËR PËR NDALIMIN E 331 USHTARËVE