Misionet e përbashkëta monitoruese të OSBE/ODIHR-it si dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, zgjedhjet e dyfishta – presidenciale dhe parlamentare i kanë vlerësuar si të drejta dhe demokratike. Dita e zgjedhjeve u vlerësua si pozitive ku në masë të madhe ishin respektuar procedurat e votimit. Por, zbazëtitë në legjislacionin si dhe dyshimet rrezikojnë sigurinë juridike për çka është i nevojshëm revizioni i tyre. Këto janë konkluzionet preliminare të misionit ndërkombëtar vëzhgues për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën dje në vend.
“Një numër i madh i rekomandimeve kryesore të ODIHR-së dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbetën të pazgjidhura, duke përfshirë ato për rishikim sistematik të Kodit Zgjedhor, për sigurimin e qasjes së barabartë në media në fushatat zgjedhore dhe për rritjen e llogaridhënies dhe integritetit të financimin e fushatës”, tha Xhiljan Stirk.
Monitoruesit ndërkombëtar në 1.340 vendvotime pozitivisht i kanë vlerësuar procedurat për votim. Megjithatë theksohet se ishin vërejtur disa raste të votimit në grupe dhe familje. Misioni ndërkombëtar vëzhgues në ditën e zgjedhjeve kishte 344 vëzhgues, nga 42 vende. Rezultatet përfundimtare për rrethin e parë dhe të dytë për zgjedhjet presidenciale dhe për zgjedhjet parlamentare OSBE/ODIHR paralajmëroi se do t’i publikojë për dy deri tre muaj.