Votimi elektronik fut në ngërç Reformën Zgjedhore
Të gjitha palët politike janë dakord që teknologjia në zgjedhje përmirëson proçeset elektorale në Shqipëri. Këtu u fokusua diskutimi i sotëm 3 orësh i Komisionit për Refomën Zgjedhore. Por ishte roli i OSBE-ODIHR në këtë proces ai që ndan palët deri në braktisjen që PD i bëri Komisionit pas disa orë debatesh. Demokratët kërkuan ekspertizë nga ekspertët e IT-ve, por për kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ekspertiza është e gatshme, ajo e vitit 2012. Ai tha se duhet ekspertizë ndërkombëtare pasi Shqipëria nuk ka ekspertët të posaçëm në fushën e zgjedhjeve dhe modelet thjesht adaptohen. Ajo që shkaktoi kulmin e debatit ishte propozimi i Partisë Demokratike për të mandatuar me vendim ekspertët për të sjellë një ekspertizë për këtë çështje, por socialistët e kundërshtuan këtë, duke kërkuar më parë një opinion nga OSBE/ODIHR. Në këto kushte bashkëkryetari demokrat hodhi për votim propozimin e tij, çka mori votën kundër të maxhorancës. Votën pro e dhanë vetëm deputetët e djathtë, ndërsa Balla votoi kundër. Por në vendimin e themelimit të këtij komisioni bipartizan është përcaktuar që nëse dy partitë e mëdha votojnë kundër një vendimi, pavarësisht votave ai nuk konsiderohet i miratuar. Pas kësaj deputetët e opozitës kanë braktisur mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore. Pas këtij momenti të dy bashkëkryetarët e komisisionit si Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi dolën në deklarata për mediat duke akuzuar palën kundërshtare për mungesë vullneti për këtë reformë.