Votimi pro i buxhetit të bashkisë Shkodër do t’i kushtojë rëndë anëtarit të këshillit bashkiak Gjovalin Ndoj. Burime zyrtare nga radhët e PS bëjnë me dije se ai do të përjashtohet nga grupi i PS brenda këshillit.

Ky përjashtim tkurr peshën e votës të PS brenda këshillit sepse nga 9 anëtar tashmë mbesin 8 të tillë. Në mbledhjen për buxhetin, përveç votave në bllok si koalicion e djathta mori 9 vota pro nga LSI, 2 nga aleatët e tjerë të së majtës ndërsa 2 të tjerë po nga koalicioni i majtë abstenuan. Kështu grupi i partisë socialiste mbeti i vetëm në mbledhjen për buxhetin duke dhënë votën e tyre kundër. Nga socialistët pak minuta pasi u mbyll votimi u mësua se Gjovalin Ndoj nga radhët e PS kishte votuar pro për buxhetin. Kjo votë e tij natyrisht që trazoi jo pak ujërat brenda socialistëve të cilët edhe një ditë përpara mbledhjes për buxhetin kishin rënë dakord që vota e tyre të ishte kundër. Qëndrimi i anëtarit të këshillit bashkiak Gjovalin Ndoj surprizoi jo pak të majtët aq sa një pjesë nuk arrinin ta besonin. I pyetur se cilat ishin arsyet e votimit pro të buxhetit, Ndoj deklaroi se i ka pëlyer ai buxhet i bërë nga bashkia Shkodër duke anashkaluar ndonjë qejfmbetje të tij siç aludohet brenda familjes socialiste. Ky qëndrim brenda këshillit bashkiak por edhe jashtë tij, ka bërë që partia socialiste të marrë vendimin për përjashtimin brenda grupit. Vendimi tashmë është marrë nga PS dhe ditën e martë të javës së ardhshme do t’i komunikohet zyrtarisht edhe vetë anëtarit të këshillit bashkiak Gjovalin Ndoj i cili deri tani përfaqësonte në këshill socialistët e zonës së Velipojës. Ky përjashtim natyrisht që nuk do të pritet aspak mirë nga vetë Ndoj dhe tashmë me interes është për të parë se cili do të jetë vendimi i tij personal brenda këshilli bashkiak. Burime jozyrtare pranë Ndojt bëjnë me dije se ai nuk do të tërhiqet si anëtar i këshillit ndërsa ende nuk dihet nëse tashmë do të jetë i pavarur pas përjashtimit nga radhët e PS apo do t’i bashkohet ndonjë force tjetër politike në këshillin bashkiak.

Artikulli paraprakPËRFUNDON AFATI I VLEFSHMËRISË SË LIBREZËS SHËNDETËSORE
Artikulli tjetërTUKAJ: QYTETARËT ARSYE TË FORTA PËR TË PROTESTUAR ME 1 MAJ