Gjykata e shkallës se parë në Shkodër ka lënë me masën “arrest me burg” shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit R.H në fshatin Mushan të njësisë Dajç. Ndërkohë gjykata ka dhënë masën lehtesuese “detyrim me paraqitje” për dy dëshmitaret Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi të arrestuar për veprën penale “moskallëzim krimi” si dëshmitar në vrasjen e 46 vjeçarit.
Ka qenë vetë prokuroria që kërkoi masën detyrim paraqitje për dy dëshmitarët ndërsa për Milkjor Gjoken organi i akuzës kërkoi “arrest me burg”, masë të cilën e dha gjykata. Shtetasi Milkjor Gjoka deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur duke mohuar akuzat ndaj tij.
Gjoka tha se ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj që dyshohen si autorë të vrasjes së R.H. Ndërkohë Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme rreth ngjarjes. Pala mbrojtëse kërkoi një masë më lehtësuese por gjykata vendosi “arrest me burg”.
Vrasja e 46 vjeçarit ndodhi më 28 nëntor në fshatin Mushan të njësisë Dajç ndërsa shtetasi R.H ndodhej në mjetin e tij tip BMW X5, ngjyrë e bardhë në momentin kur është qëlluar me të paktën mbi 15 plumba duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Forca të shumta policia nisën hetimet për zbardhjen duke arritur që ta dokumentojnë këtë ngjarje.
Sipas policisë autorë të dyshuar të vrasjes janë vëllezërit Hydajet dhe Duel Mehmedaj të cilët janë ende në kërkim nga policia pasi kanë arritur që të largohen duke i shpëtuar efektivëve. Sipas policisë djali i viktimës ka patur një konflikt me vëllezërit Mehmedaj dhe 46 vjeçari ka shkuar për t’u sqaruar por ka mbetur i vrarë. Policia vijon kërkimet në mënyrë intensive për gjetjen dhe arrestimin e vëllezërve Mehmedaj që janë të dyshuar si autorë të vrasjes.