Vetëm pak ditë pas deklaratës së drejtorit të policisë vendore të Shkodrës Vehbi Bushati lidhur me vrasjen e ish-policit Boran Bërcana dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci disa detaje të reja janë mësuar nga hetimet që po bëhen për këtë ngjarje të rëndë.

Drejtori i policisë i pyetur për këtë çështje u shpreh se ka disa pista hetimi për të cilat po punohet ngusht bashkë me prokurorinë për të arritur tek zbardhja e plotë e asaj vrasje të dyfishtë.

Star Plus ka mësuar një detaj të ri dhe të rëndësishëm që mund të shërbejë për të hedhur më shumë dritë rreth vrasjes dhe autorit të mundshëm që ekzekutoi në atentatin mafioz Boran Bërcanën dhe Silvana Ndocin.

 

Sipas burimeve nga prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se Boran Bërcana dhe autori i mundshëm kanë patur një njohje me njëri-tjetrin. Kjo ka bërë që vetëm pak sekonda para vrasjes Boran Bërcana ta përshëndes ekzekutorin e tij duke qenë se sipas dyshimeve ata njiheshin.

Burimet pranë organit të akuzës tregojnë se në momentin kur Boran Bërcana ka ecur me makinë e tij për të shkuar tek pallatit ku banonte me qera, pak metra përpara se të mbërrinte në destinacion mund të jetë përshëndetur me autorin.

Kjo përshëndetje që prokuroria dhe policia dyshon çon në konkluzionin se Boran Bërcana dhe autori kanë patur një njohje qoftë edhe të thjeshtë mes tyre.

Ish polici që u vra me partneren e tij me 28 plumba mbi trupat e tyre ka vijuar gradualisht rrugën me makinën e tij duke mos e menduar asnjëherë se i njohuri i tij do ta qëllonte për vdekje vetëm pas pak sekondash.

Sapo makina e ish efektivit ka ecur pak metra më përpara autori e ka ndjekur qetësisht jo me hapa të nxituar për të hequr gjitha dyshimet dhe sapo është afruar ka qëlluar pa mëshirë duke zbrazur nga arma e tij automatike tip gjermane 28 plumba.

 

Nga detajet e reja mendohet se fillimisht e ka qëlluar në kokë por duke qenë se makina ka ecur për intertësi atëherë autori për të qenë i sigurtë ka vijuar të qëllojë me breshëri.

Bashkëjetuesja e Bërcanës, Silvana Ndoci mund edhe të kishte shpëtuar por sipas dyshimeve që ka prokuroria autori e ka qëlluar edhe atë për faktin se ajo e ka parë në fytyrë dhe e ka njohur atë.

Në këtë mënyrë për të mos lënë dëshminë e saj dhe identifikimin e autorit ky e fundit e ka ekzekutuar edhe 24 vjeçaren. Pasi kreu vrasjen autori u largua duke shkuar në zonën e By Passit.

Aty braktisi makinën që rezulton e vjedhur në Kosovë dhe armën e krimit duke i vënë flakën për të humbur çdo gjurmë.

Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për këtë vrasje të dyfishtë por ende deri më tani nuk ka diçka konkrete sa i përket identifikimit të autorit.

 

 

Artikulli paraprakKONFLIKTI PËR PASAGJERËT, ARRESTOHET 30 VJEÇARI
Artikulli tjetër“SAMSUNG” VJEN ME EKRANIN E PATHYESHËM OLED