Autoriteti i Medias Audiovizive ka reaguar lidhur me raportimet e vazhdueshme mbi tragjedinë e rëndë që ndodhi më 18 nëntor 2024 në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën. Në një deklaratë, AMA theksoi se media duhet të marrë parasysh efektin që ka prania e ekipeve të xhirimit mbi fëmijët dhe familjet e prekuara, veçanërisht pas traumës që ka shkaktuar ngjarja. Ata njoftuan se shumë prindër kanë kërkuar ndihmë për të mbrojtur fëmijët e tyre nga presioni i mediave dhe kërkesat për intervista, të cilat mund të shtojnë ankthin dhe traumën e tyre. Autoriteti i Medias Audiovizive ka rikujtuar detyrimet ligjore për mediat, duke përfshirë shmangien e identifikimit të fëmijëve të përfshirë në ngjarje të tilla dhe sigurimin e pëlqimit të prindërve për intervistimin e fëmijëve nën 14 vjeç. Ata kërkuan që media të respektojë të drejtat e fëmijëve dhe të shmangë pyetjet që mund të dëmtojnë emocionalisht ata.
Reagim i Autoritetit të Medias Audiovizive:
Ngjarja e rëndë, që tronditi Tiranën, ditën e hënë, më 18.11.2024, si pasojë e së cilës humbi jetën një 14-vjeçar, vazhdon të preokupojë me përparësi të gjitha mediat audiovizive, të cilat vijojnë t’i kushtojnë vëmendje, burime dhe kohë televizive si zbulimit të aspekteve të panjohura të dinamikës së ngjarjeve ashtu edhe kërkimit të shkaqeve, që e shtynë grupin e adoshelentëve drejt dhunës.
Ndjeshmëria e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen, përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët informojnë për të gjatë gjithë ditës në të gjitha ekranet, duke ndihmuar sqarimin e rrethanave të ngjarjes paralelisht me hetimin e organeve ligjzbatuese.
Në kushtet, kur ngjarja është këto ditë kryefjala e secilit prind dhe secilës familje, e përditshmja profesionale e medias kurrsesi s’duhet të lërë jashtë vëmendjes efektin, që prania e vazhdueshme e ekipeve të xhirimit në mjediset pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” ka mbi fëmijët dhe prindërit e shkollës.
Autoritetit të Mediave Audiovizive i janë drejtuar për ndihmë gjatë ditës së sotme një numër i konsiderueshëm prindërish, të cilët e ndiejnë veten të pafuqishëm të mbrojnë fëmijët e tyre nga presioni, që prania e mediave dhe përpjekja për të intervistuar fëmijët prodhon, presion që i shtohet gjendjes së tyre psikologjike, gjithsesi të rënduar nga trauma.
Në këto kushte, Autoriteti, ju drejtohet, për t’ju rikujtuar detyrimet e rrjedhura prej ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Kodit të Transmetimit (nenet e cituara më poshtë), dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi, në emër të INTERESIT MË TË LARTË TË FËMIJËS.
Të nderuar kolegë!
Shmangni raportimet me identifikim të fëmijës, të përfshirë në një ngjarje të rëndë!
Siguroni pëlqimin e prindit ose kujdestarit të fëmijës për intervistimin e fëmijës nën moshën 14 vjeç!
Respektoni të drejtën e fëmijës dhe përfaqësuesit ligjor për të refuzuar intervistimin!
Mos e intervistoni fëmijën kundër dëshirës së tij!
Shmangni pyetjet ose komentet, që dëmtojnë fëmijën ose që i risjellin ndërmend ngjarjet e rënda për të!
Mos e shfrytëzoni ngjarjen në këndvështrim sensacional, duke shpërfillur vuajtjen dhimbjen, ndjenjat dhe dinjitetin e të prekurve!
Autoriteti i Mediave Audiovizive, do të vijojë ta mbajë situatën nën vëzhgim, duke shqyrtuar çdo rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, duke ua adresuar ato redaksive përkatëse dhe duke reaguar përputhur legjislacionit në fuqi.
Pritshmëria e Autoritetit është pasqyrimi sa profesional aq edhe etik i ngjarjes, në respekt të dhimbjes, ndjenjave dhe dinjitetit të të prekurve.
Autoriteti i Mediave Audiovizive