Martin Cani ndërroi jetë të hënën e 18 tetorit pas një sherri masiv mes adoleshentëve pranë shkollës “Fan Noli’ në Tiranë.

Pas kësaj ngjarje që i tronditi të gjithë të shumta kanë qenë reagimet nga personazhe të njohur. Ditën e sotme me anë të një postimi në Facebook, Armand Duka, presidenti i federatës shqiptare të futbollit ka shprehur ngushëllime për familjen e 14 vjeçarit.

Postimi i plotë
Miqtë e mi!
Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!

Aq më teper sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtesisht në mes.

Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!
Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona! Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!

Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!

Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.

Pusho i qetë Martin!
Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!

Artikulli paraprakSHKODËR/ QYTETARI DENONCON: QËLLUAN ME ARMË ZJARRI DREJT MAKINËS SIME
Artikulli tjetërKUSHTE ATMOSFERIKE TË PAQËNDRUESHME, VRANËSIRA MESATARE DERI TË DENDURA, JA SI DO TË JETË MOTI SOT