Disa detaje të reja kanë dalë nga vrasja e shtetasit Lulash Qepuri, ngjarje e ndodhur në mbrëmjen e kësaj të mërkure në fshatin Stom Golem të njësisë Rrethina. Dyshimet e policisë për vrasjen e shtetasit Lulash Qepuri janë për shkak të parave me fajde. Policia vendore ka informacione të siguruara në rrugë operative se 74 vjeçari ka lëshuar para me fajde dhe ky mund të jetë shkaku që ka çuar në vrasjen e Lulash Qepuri.

Ndërkohë djali i tij i cili u shoqërua në polici ka treguar dinamikën e ngjarjes dhe se si ka marrë armën e gjuetisë shotgun që e kishte me leje për t’ju kundërpërgjigjur autorit ende të paidentifikuar.

“Ndodheshim në lokalin tonë në Stom Golem bashkë me babain. Një person i maskuar në fytyrë u afrrua dhe qëlloi me pistoletë në drejtim të babait duke e lënë të plagosur rëndë. Në atë moment u mundova që me shumë shpejtësi të futem brenda për të marrë armën e gjuetisë që e kemi me leje për t’u vetëmbrojtur por kur dola unë autori ishte larguar.

Ka ardhur nga ura e Bardhajve në drejtimin tonë, i vetëm në këmbë dhe po ashtu është larguar në atë drejtim duke vrapuar. Qëllova me shotgan por kishte ikur me shpejtësi. Në atë moment telefonava ambulancën për ndihmën e shpejtë dhe policinë duke i thënë se më kanë vrarë babën. Nuk e di se kush mund të jetë autori”, mësohet të ketë deklaruar djali i 74 vjeçarit.

Lulash Qepuri humbi shumë gjak pasi u qëllua me pistoletë. I moshuari u transportua me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës por pas afro dy orësh humbi jetën në spital duke mos arritur që t’i bëjë ballë plagëve të rënda. Policia ka disa dyshime paraprake dhe ka shoqëruar disa persona por deri më tani ende nuk është identifikuar autori i kësaj vrasje të ndodhur. Viktima Lulash Qepuri në vitin 2011 është arrestuar si i dyshuar për drogë dhe armëmbajtje pa leje.

74 vjeçari mësohet se ka të paktën 7 plumba në trup, prej të cilëve edhe në kokë dhe fytyrë. Ndërkohë djali i viktimës ka qëlluar të paktën me 10 plumba edhe pse autori kishte ikur ndërsa në total janë 26 gëzhoja në vendngjarje. Efektivët kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe janë duke krehur zonën për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit. Lokali ku ndodhi vrasja është i paisur me kamera sigurie dhe policia i ka sekuestruar duke mësuar edhe dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë.

 

Artikulli paraprak30 VITE PA TONIN HARAPIN, KONCERTI “IN MEMORIAM”
Artikulli tjetërVLLAZNIA, JOSA: KRAJOVA NJË KUNDËRSHTAR I FORTË