Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në orën 08:30 të mëngjesit në një konferencë për mediat, nga aeroporti i Rinasit, ku foli në lidhje me ngjarjen horror që u regjistrua dje në Fier, ku u vra në mënyrë monstruoze 8-vjeçari Mateo Vasiu.
“E pangushëllueshme për prindërit, familjen e të afërmit dhimbja e humbjes tragjike të vogëlushit Mateo, nga Grecallia e Fierit, e cila tronditi mbarë shoqërinë pasditen e djeshme. Reagimi i menjëhershëm dhe shpejtësia e kapjes së autorit nga Policia e Shtetit, duhet medoemos të pasohen nga ndëshkimi më ekstrem i drejtësisë për autorin e barbarisë tronditëse.
Asgjë nuk e shlyen humbjen dhe lehtëson peshën e kësaj barbarie mbi zemrën e mendjen e nënës, babait e familjarëve të vogëlushit, por duke u shprehur atyre ngushëllimet më vëllazërore, presim me padurim verdiktin e merituar të drejtësisë”, tha Rama. Ngjarja në Fier tronditi opinionin publik, ku i mituri u vra nga fqinji i tij, Klodian Çallamani, i cili e rrëmbeu atë, e goditi fatalisht me lopatë në pjesën e pasme të kokës dhe më pas trupin e groposi në oborrin pas shtëpisë.