Vrasja e adoleshentes ruse në Ksamil, gjykata shton edhe 30 ditë burg për skafistin
Gjykata e Sarandës ka zgjatur arrestin me burg për Ermal Fatajn, duke vendosur edhe 30 ditë të tjera paraburgim. Ermal Fataj është i dyshuari i vetëm për vrasjen e turistes 15-vjeçare ruse Ksenia Riok. Sot skadonte afati i masës së sigurisë prej 45 ditësh burg vendosur nga gjykata e Sarandës në datën 24 korrik. Prokuroria e qytetit bregdetar, e cila po heton rastin është në vështirësi, pasi ende nuk ka marrë raportin e ADN-së nga laboratori i policisë shkencore për të provuar fajësinë e Fatajt. Ekspertëve kriminalistik duhet të krahasojnë disa fije floku të gjetura në helikat e skafit të 31-vjeçarit për t’i krahasuar me flokët e viktimës. Vetëm pas krahasimit shkencor Prokuroria do të kishte në dorë faktin për fajësinë e të riut. Shkak për vonesën e analizës u bë djegia e një llampe në pajisjen që kryen krahasimin. Në datën 11 gusht, Policia e Shtetit bëri të ditur se pajisja u rregullua dhe se analiza do të kryhej. Kanë kaluar 26 ditë dhe analizat e ekspertizës i mungojnë dosjes së prokurorit.