Vrasja e një tjetër afro-amerikani nga policia ka nxitur protesta të reja për dhunën me baza racore në qytetin amerikan të Mineapolisit.

Dhjetëra protestues u ndeshën në distancë me oficerë të policisë, duke marrë si kundër përgjigje gazin lotsjellës.

Para mesnatës arritën në vendngjarje edhe trupat e Gardës Kombëtare kur protestuesit po bëheshin gati të vandalizonin dyqanet e zonës.

Shkak për trazirat u bë goditja për vdekje e 20-vjeçarit Donte Rajt.

I riu u ndalua të dielën në mesditë për shkelje të rregullave të qarkullimit, por u zbulua se po ashtu ishte shpallur në kërkim nga autoritetet.

20-vjeçari nuk pranoi të arrestohej ndërsa një oficer zbrazi armën e vet duke i marrë jetën.

“Kishte vetëm disa aromatizues në makinë dhe i kërkuan të zbriste. U fut sërish brenda për t’u larguar. Këtu dëgjova në telefon që i thanë ‘Donte, mos ik’. E dashura e tij tha se e qëlluan, pastaj u përplasën me makinë,” tha e ëma e viktimës.

Mineapolisi është edhe qyteti ku vitin e kaluar humbi jetën afro-amerikani George Floyd, përsëri viktimë e policisë pasi nuk iu bind urdhrave për arrestim.

Gjyqi për oficerët që dyshohet se shkaktuan vdekjen e tij, po hyn në javën e tretë.

Artikulli paraprakDREJTORI KINEZ I CDC HEDH POSHTË INTERPRETIMIN E ‘SHKALLËS SË ULËT TË MBROJTJES SË VAKSINAVE KINEZE’: KEQINTERPRETIM, NGATËRROHET ME VIZIONIN SHKENCOR PËR PËRMIRËSIM
Artikulli tjetërKREMLINI: UKRAINA DUHET TË PLOTËSOJË DISA KUSHTE QË TË VAZHDOJNË BISEDIMET PËR PAQEN