Eduart Xhezo, i dyshuari kryesor i vrasjes së Arben Beqirajt, pronar i një lokali në Vlorë është vënë në pranga nga Policia e Durrësit.
Ngjarja u shënua pasditen e 4 gushtit 2019 në zonën e plazhit të Vjetër, pas një konflikti për një kalë.Beqiraj mori 6 plumba në trup dhe ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes. Ndërsa Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj mbetën të plagosur.
Xhezo ishte identifikuar si autor i dyshuar menjëhërë pas vrasjes, por ai vijonte të sfidonte autoritetin e shtetit duke lëvizur i lirë.
34 vjeçari është identifikuar teksa lëvizte në qytetin e Durrësit.
Aksioni ne ndjekje
Blutë kanë tentuar ta ndalojnë, por Xhezo jo vetëm që nuk i është bindur urdhërit, por ka rrezikuar jetën e policëve që tentuan ta vënë në pranga.
Aksioni me tej ka vijuar me një ndjekje si nëpër filma dhe i shumëkërkuari është arritur të bllokohet në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit.
“”Policia Tiranës pas informacioneve të marra për vendndodhjen e personit në kërkim organizoi punën për kapjen e tij, i cili sapo ka parë policinë ka lëvizur me shpejtësi të madhe në drejtim të Durrësit.
Menjëherë është njoftuar Policia e Durrësit dhe në hyrje të Durrësit, u ngrit një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.
Forca e Posaçme Shqiponja e DVP Durrës dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici,”-njoftojnë uniformat blu.
Gjatë kontrollit në makinë, 34 vjecarit iu gjetën dy karta identiteti të falsifikuara ku në njerën fotografia ishte e vetë Eduart Xhezos.
Po ashtu policia thotë se Ai ishte nën efektin e lëndëve narkotike kur u vu në pranga.
Policia thotë se 34 vjecari është person me precedentë të theksuar kriminalë, në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas dosjes hetimore, konflikti nisi për shkak të një personi që po kalëronte përmes zonës së plazhit të administrohej nga Arben Beqiraj. Ky i fundit u konfliktua me personin, i cili disa orë më pas u rikthye aty me Eduart Xhezon, Ariel Kingjin, Çelik dhe Geno Lenan.
Debati mes burrave përshkallëzoi në përdorimin e armës së zjarrit dhe me bilanc një të vdekur e dy të plagosur.