Vrasësi i turistëve çekë qëlloi fillimisht makinën në xham, kur doli për t’i grabitur dhe më pas hipi brenda mjetit, ku edhe i qëlloi të dy për vdekje, vetëm pasi kishin përshkruar një copë rrugë. Ky është versioni që ka dalë nga ekspertiza e detajuar që i është bërë mjetit tip “Nissan”, sipas së cilës rrëzohet shpjegimi i 20-vjeçarit Sokol Mjacaj. Ky i fundit, në dëshminë e tij, ka thënë se u kishte dalë përpara me armë në dorë, por nuk e kishte zbrazur. Sipas Mjacajt, i qëlloi sepse donin t’u merrnin kallashnikovin dhe pasi i vrau, doli jashtë për të qëlluar në xhamat e makinës.
Por burimet policore thanë se dëshmia e tij duket se ka pasaktësi, pasi Laboratori Kriminalistik ka përcaktuar, në bazë të matjeve, kohës dhe krahasimeve të gjurmëve të lëna në vendin e krimit se vrimat në xham ishin bërë para se të hipte në makinë. Nga ana tjetër, nga këqyrja e sendeve të gjetura në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se Michal Svatos dhe Anna Kosinova kishin vetëm 20 euro dhe 30 mijë lekë në portofolat e tyre. Nga këqyrja e sendeve që mbanin me vete turistët çekë ka rezultuar se në portofolat e tyre kishte vetëm 20 euro dhe 30 mijë lekë të vjetra. Gjetja e çantës dhe automatikut në fuoristradë, si dhe gjurmët e lëna, tregojnë qartë se ekzekutori ishte pikërisht pasagjeri që kanë marrë në rrugë dy turistët çekë. Ekzekutori nuk ka arritur t’u marrë asgjë dy viktimave, përveç një telefoni, që mesa duket ishte edhe fiksimi i tij, pasi e shiti sapo shkoi në fshat. Ndërkaq, nuk është prekur as laptopi i turistëve çekë. Pasi mbërriti në ambientet e Policisë së Shkodrës, 20-vjeçari Sokol Fran Mjacaj tha se “donin të më merrnin kallashnikovin, ndaj i qëllova. Pata frikë se mos ma merrnin armën dhe më vrisnin. Isha i detyruar t’i vrisja unë, pasi ashtu rrodhën ngjarjet. Situata doli nga kontrolli. Doja vetëm t’u merrja makinën dhe të ikja. Nuk doja t’i vrisja”. Policia thotë se ndër provat që e implikojnë drejtpërdrejt në krim janë dhe disa njolla gjaku që janë gjendur në trupin e viktimave, të cilat dyshohet se i përkasin 20-vjeçarit. Kjo u arrit pas verifikimeve të grupit hetimor të çështjes, pas një ekspertizë të ADN-së. Gjithashtu, edhe disa shenja gishtërinjsh, të cilat Mjacaj i kishte lënë në automjet, janë të tjera prova që disponon grupi hetimor.