Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës që në orët e para të mëngjesit. Boran Bërcana dhe bashkëjetuesja e tij Silvana Ndoci janë ekzekutuar poshtë pallatit ku jetonin me qera duke mbetur të dy të vdekur në vend.

Mendohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër ndërsa policia ka gjetur trupat e pajetë rreth orës 6:40. Boran Bërcana dhe Silvana Ndoci kanë qenë brenda makinës tip Benz me targë AA 006 HA në momentin kur janë qëlluar nga ekzekutori. Brenda mjetit në prehërin e nënës ndodhej edhe djali i vogël i çiftit. Për disa orë me radhë djali 3 vjeçar ka qëndruar brenda makinës derisa policia dhe ambulanca janë njoftuar nga një prej komshinjve i cili ka parë dy trupat e pajetë brenda makinës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e cila ka bërë të mundur transportimin e djalit të vogël drejt spitalit dhe pas një kontrolli e kanë marrë familjarët. Në vendin ku ndodhi vrasja ka mbërritur edhe policia bashkë me grupin hetimor dhe një prej prokurorëve duke nisur menjëherë hetimet.

Sipas burimeve çifti në fjalë sapo kishin mbërritur poshtë pallatit ku jetonin prej 8 muajsh dhe në atë moment ende pa zbritur nga mjeti ekzekutori i ka qëlluar me breshëri plumbash Boran Bërcanën dhe Silvana Ndocin.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 plumba që janë lëshuar në drejtim të çiftit. Fatmirësisht fëmija i vogël ka shpëtuar pa marrë asnjë plumb. Boran Bërcana sipas burimeve ka plumb në kokë dhe gjithë trupin e tij dhe po ashtu edhe shtetasja Silvana Ndoci.

30 vjeçari që mbeti i vrarë më përpara ka qenë efektiv në policinë e Shkodrës, më pas tek forcat Shqiponja, pak kohë ka shërbyer në Pukë, është rikthyer në Shkodër duke u larguar nga policia para pak muajsh përpara se të niste procesi i Vettingut.

Për rreth dy muaj qëndroi në Francë ndërsa 8 muajt e fundit jetonte tek pallati tek “Rruga e Gjanë” siç njihet në Shkodër. Ende janë të paqarta arsyet e vrasjes ndërsa mendohet për ndonjë konflikt të mundshëm.

Policia po punon për identifikimin dhe gjetjen e autorit duke qenë se ende nuk është identifikuar. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë por është e vështirë për shkak të errësirës në momentin e vrasjes. Trupat e pajetë pas eksepertizës u transportuan me ambulancën e spitalit të Shkodrës.

 

 

 

Artikulli paraprakVLLAZNIA VIJON TË MBETET AKOMA “NË AJËR”
Artikulli tjetërGRABITJE ME ARMË, AUTORËT E MASKUAR PLAGOSIN DJALIN E SHTËPISË