Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku e ka cilësuar si skandaloze aludimet se policia e shtetit tentoi që të fshehë vrasjen e Egli Progës në Pogradec mbrëmjen e 10 gushtit. Rrumbullaku tha se do të merren masa për zbardhjen e qëllimit të dezinformimit.

Në fjalën e tij drejtori i Policisë tha se grupi hetimor ka kryer të gjitha proceduarat dhe ka zbardhur ngjarjen në kohë rekord. Më tej Rrumbullaku tha se policia e Shtetit ka referuar në prokurori ngjarjen si ‘Vrasje me dashje’.

‘Ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec ku humbi jetën një 42-vjeçar. Jam i detyruar të informoj publikun se aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Pogradecit është i pabazë. Është skandaloz pasi nuk ka asnjë provë. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk është tentuar të fshihet apo të minimizohet ngjarje e rëndë. Është vlerësuar maksimalisht nga komisariati i Pogradecit.

Është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua.

Baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht. Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri ën fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformomi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje’- tha Rrumbullaku.

Artikulli paraprakZJARRET, MBËRRIJNË NË SHQIPËRI DY AVIONË RUMUNË PËR NDËRHYRJE NË VATRAT MË KRITIKE
Artikulli tjetërGJENDET I VDEKUR PUSHUESI NË SHËNGJIN