Përfshirja në shumë konflikte edhe në kohët e fundit por edhe më përpara ja ka vështirësuar edhe më shumë punën policisë së Shkodrës për zbardhjen e vrasjes së shtetasit Elis Rroshkodoli , e ndodhur një ditë më parë në Shkodër. Nga detajet e reja në këtë ngjarje të rëndë që ndodhi rreth orës 12:30 të 30 gushtit, policia e ka ende të paqartë se cila mund të jetë pista më e mundshme. Përfshirja në vjedhje, plagosje brenda e jashtë vendit, dyshimet për pazare droge dhe konflikte të tjera të shumta kanë bërë që grupi hetimor të mos përjashtojë asnjë prej mundësive. Konfliktet e viktimës kanë nisur që kur ka qenë në një moshë të re ende pa i bërë 20 vjeç deri kur u qëllua në atë vrasje mafioze një ditë më parë. Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri një shtetas në Shkodër. Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shkodran dhe një vit më parë është dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit.
Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima. Policia ka dyshime se ekzekutorët e kësaj vrasje mund të jenë persona me pagesë dhe se porositësit janë të tjerë. Elis Rroshkodoli mësohet se nga 18 plumbat e pistoletës, 14 i ka në trup gjë e cila bëri që ai të humb jetën në mënyrë të menjëhershme. 36 vjeçari i vetëdijshëm për konfliktet e shumta mbante me vete një pistoletë me fishekë në fole e gatshme për qitje të cilën grupi hetimor e gjeti në çantën e viktimës pas vrasjes. Policia dyshon se një automjet tip benz ngjyrë grih ka ardhur nga rruga “Isuf Sokoli” dhe 36 vjeçari është qëlluar teksa pinte kafe në një lokal në unazën perëndimore. Automjeti i dyshuar që ende nuk është gjetur ka marrë rrugën në të majtë në drejtim të hyrjes së Shkodrës duke humbur gjurmë më pas. Në lokal në momentin e vrasjes ndodheshin katër persona, viktima, pronari i lokalit dhe dy klientë të tjerë. Njëri prej dëshmitarëve ka qenë shumë afër 36 vjeçarit por ia deklaruar se nuk ka qenë me të në tavolinë dhe se viktima po pinte kafe i vetëm.
Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë. Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pamonitoruara nga kamerat. Dëshmitarët kanë treguar vetëm se kanë parë një automjet dhe asgjë tjetër lidhur me vrasësit. Ndërkohë Elis Rroshkodoli është djali i Kujtim Haxhisë, ky i fundit i vrarë në vitin 1995 në Shkodër pas një konflikti duke lënë në moshën 7 vjeçare të birin që u ekzekutua një ditë më parë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasje në Shkodër.