Irani hakmerret ndaj SHBA-së pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani. Teherani ka goditur me një dyzinë raketash balistike bazat ajrore amerikane në ‘al-Asad’ dhe ‘Irbil’ në Irak, në të cilat janë vendosur trupat amerikane. Mediat italiane, Corriere della Sera shkruan se nga sulmi janë të paktën 80 të vdekur, por SHBA e ka mohuar deri tani.
Sulmi ndaj bazave amerikane është kryer rreth orës 01:30 me orën lokale, nga një distancë prej 10 kilometrash. Sulmi është marrë përsipër nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, e cila përmes një mesazhi në agjensinë shtetërore të lajmeve, IRNA, paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi.
“Paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të shënjestrohet”.
Sulmi erdhi si hakmarrje pas vrasjes së gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani. Lajmi për sulmin fillimisht u konfirmua nga një komandant sunit i forcave paraushtarake, Qatri al-Obeidi, në qytetin e afërt të al-Bagdadit, por edhe nga një zyrtar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes në SHBA.
“Jane sulmuar bazat ajrore të trupave amerikane ‘al-Asad’ dhe ‘Irbil'”, është shprehur zyrtari amerikan. Po ashtu, më vonë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, përmes një deklarate zyrtare për mediat pohoi sulmin, ndërsa shprehet se Shtëpia e Bardhë po vijon monitorimet.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sulmet ndaj objekteve amerikane në Irak. Presidenti është informuar, po monitoron nga afër situatën si dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë”, tha ajo.SHBA ka rreth 5000 trupa në Irak.
Tensionet në rritje në Lindjen e Mesme kanë detyruar Mbretërinë e Bashkuar të vendos në gatishmëri Marinën Mbretërore dhe helikopterët ushtarakë. Vendimi u bë me dije nga Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace. Forcat e Armatosura shqiptare nuk kanë efektivë në Irak.