Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ka konfirmuar pas letrës publike të babait të gjyqtares së vrarë Fildes Hafizi se do mbledhë me urgjencë kolegjin penal në fillim të javës tjetër për t’i dhënë përgjigje kërkesës së Gjykatës së Faktit për kompetencën në lidhje me gjykimin e çështjes se vrasjes së Hafizit.
Gjykata e Lartë ka reaguar përmes zëdhënëses Ida Vodica Gjykata e Lartë deklaron se ka marrë të gjitha masat dhe brenda javës së ardhshme do të dalë në vendim për çështjen e Fildes Hafizit.
Babai i gjyqtares Hafizi, shprehte shqetësim në një letër të shkruar dy ditë para se të vdiste se Fadil Kasëmi, vrasësi i saj do të lirohej për shkak të ping-pongut mes instituconeve të drejtësisë; rreth 1 vit pas vrasjes së saj, ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, i cili ka deklaruar se vrasjen e ka kryer me koshiencë të plotë, mund të dalë nga burgu për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.
Të ndodhur përballë këtij fakti dhe ngërçit të sistemit gjyqësor, familjarët e gjyqtares së ndjerë kanë vendosur t’i drejtohen me një letër autoriteteve kryesore të vendit, duke vënë në dijeni edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendin tonë.
Letra, i është drejtuar kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhe mban firmën e Bynjamin Hafizit, babait të gjyqtares së ndjerë, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pa mundur të shohë dënimin e autorit të vrasjes së vajzës së tij.
Z.Hafizi sqaron nëpërmjet kësaj letre se gjyqi i vrasësit të gjyqtares po zvarritet, dhe për këtë arsye ai kërkon veprimin sa më të shpejtë të Gjykatës së Lartë, ku dosja ka ardhur për të përcaktuar kompetencën e gjykatave.
“Po ju drejtohem juve z.Zaganjori si kryetar i Gjykatës së Lartë, ju lutem të merrni në konsideratë dhe me prioritet këtë kërkesë në mënyrë të tillë që kolegji penal i gjykatës së Lartë të shprehet brenda afatit 30 ditor lidhur me gjykatën kompetente që gjykimin e kësaj dosjeje”, shkruan Bynjamin Hafizi.
Ai shton më tej se, “shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë sa më parë në mënyrë që ky vrasës të dënohet siç e meriton pa u rrezikuar përfundimi i afateve të paraburgimit”. Duke kujtuar sloganin “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, babai i gjyqtares Fildes Hafizi shton më tej në letrën e tij:
“Po kërkojmë që drejtësia të vihet në vend të paktën kësaj rradhe. Jemi të lënduar dhe i vetmi ngushëllim do të ishte dhënia e drejtësisë dhe jo zvarritja e saj”.