Vrasja e gruas në Fier, Shoqata e Gjyqtarëve: Përse policia nuk arrestoi burrin dhunues

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate për shtyp pas akuzave për sistemin gjyqësor dhe në veçanti për gjyqtarin e Fierit, Ergys Selmani i cili nuk zbardhi në kohë urdhrin e mbrojtjes për gruan, që më pas u vra nga burri. Shoqata e Gjyqtarëve nuk dënon vonesën, por akuzon se po hidhet baltë mbi sistemin gjyqësor dhe për krimet në familje akuzon edhe policinë e shtetit se nuk ka kryer detyrën. “Pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse policia e shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa, si pasojë e marrjes së masave kundër dhunës në familje” thuhet në reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve. Gjithashtu, Shoqata e Gjyqtarëve shprehet se “U kujtojmë funksionarëve ekzekutivë dhe politikë që gjykatat janë të pavarura dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Çdo përpjekje për të cenuar këtë pavarësi vjen në kundërshtim me vlerat më të larta demokratike të cilat synojmë t’i mbrojmë dhe promovojmë” thuhet në reagimin e tyre. Pak ditë më parë Liljana Ruko u vra nga bashkëshorti, ndërsa urdhri i mbrojtjes nuk ishte zbardhur nga gjyqtari Ergys Selmani, për të cilin ka nisur një procedim. Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve vjen pas akuzave të ministrit Tahiri se urdhri i mbrojtjes nuk kishte ardhur kurrë në policie dhe të ministrit Manjani, që kërkoi hetimin e gjyqtarit Ergys Selmani, pasi ka shkelur ligjin në zbardhjen e vendimit të urdhrit të mbrojtjes.

Artikulli paraprakSHORTI, GJIN GJONI ANËTAR I KOLEGJIT ZGJEDHOR, I SHPËTON VETTINGUT
Artikulli tjetërKAPEN MBI 100 KG KANABIS NGA SHQIPËRIA; 5 NË PRANGA