Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 22-vjeçarin Sebastian Mali, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor në vrasjen mafioze të Hekuran Billës, te Komuna e Parisit në Tiranë.

I dyshuari Mali është nipi i Prel Markut, i vrarë nga Billa në vitin 2006 në një lokal në Angli. Sipas burimeve prokuroria ka prova dhe fakte që dyshohet se implikojnë Sebastian Malin në vrasjen e Billës. Në dosjen e Prokurorisë sipas burimeve thuhet se Mali ka shkuar në Shkodër, ku ka shkëmbyer mjetin e tij dhe më pas është kthyer në Tiranë dhe ka mbajtur nën vëzhgim të gjitha lëvizjet e Hekuran Billës, deri tek ekzekutimi i tij, mbrëmjen e 11 qershorit.

Nga ana e tij Sebastian Mali ka mohuar të ketë lidhje me këtë vrasje duke thënë se ka qenë duke vëzhguar një vajzë dhe jo Hekuran Billën. Nga ana tjetër policia e Tiranës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 40-vjeçari Hekuran Billa. Po kështu vijojnë kontrollet për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni apo mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.

Gjatë këtyre kontrolleve të shtuara është kapur në një lokal, një shtetas që mbante armë zjarri pistoletë me vete dhe tentoi të largohej me vrap duke hedhur në tokë një çantë brenda së cilës policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, por u kap dhe u arrestua në flagrancë nga Policia në tentativë për t’u larguar.

Në pranga ka rënë shtetasi Andi Agraja 32 vjeç banues në Shkodër ndërsa dyshohet për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Më herët në Malin e Zi u arrestua Viktor Marku i dyshuar si autor i vrasjes së Hekuran Billës pasi ky i fundit i ka vrarë vëllain në Angli. Viktor Marku ka kërkuar një avokat dhe nuk ka pranuar të flasë duke thënë se do të flas në një moment të dytë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë si bashkëpunëtorë në këtë vrasje.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, HUMB JETËN NGA AKSIDENTI 28 VJEÇARI
Artikulli tjetërTË SHTËNA ME ARMË ZJARRI NË LEZHË, 1 I PLAGOSUR