“Një shok që i them shok, nuk e çoj me vra. Kërkoj drejtësi”. Këto janë fjalët e Elvis Hoxhës në fund të seancës gjyqësore ku është si i akuzuar për vrasjen e Hermes Beqirit.

Këto fjalë Elvis Hoxha i tha në praninë e ish-shokut të tij Ditmir Arifi, ky i fundit i akuzuar si bashkëpunëtor. Ndryshe nga Hoxha, Ditmir Arifi kërkoi vetëm mëshirë nga gjykata ndërsa ka treguar me detaje gjithë dinamikën e kësaj ngjarje kriminale.

Prokuroria e Shkodrës kërkoi 12 vite burg për Elvis Hoxhën i akuzuar si autor i vrasjes të Hermes Beqirit dhe 8 vite për Ditmir Arifin i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë vrasje.

I pandehuri Hoxha dhe avokati mbrojtës i tij nuk e kanë pranuar autorësinë për vrasjen e Hermes Beqirit, ngjarje e ndodhur me 4 nëntor të 2017-ës.

I pandehuri deklaroi përpara gjykatës se në momentin e vrasjes ai nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes. Elvis Hoxha u shpreh se vrasja e Hermes Beqirit është kryer nga një person i tretë i cili e ka kërcënuar me jetë Elvisin dhe familjen e tij nëse do të flasë përpara drejtësisë.

Avokati mbrojtës Kreshnik Kolndreaj deklaroi se Elvis Hoxha fillimisht e ka pranuar autorësinë e ngjarjes si shkak i presionit psikologjik në momentin kur është marrë në pyetje në prokurori dhe polici.

Sipas mbrojtjes Hoxha s’ka qenë prezent sepse sipas kompanisë celulare rezulton se ka qenë të paktën 15 km larg nga vendi ku ndodhi vrasja. Arma e gjetur në momentin e arrestimit sipas avokatit nuk është arma e krimit dhe deri më tani s’ka ende asnjë provë se me atë armë është kryer vrasja.

Për palën mbrojtëse çështja ndaj Elvis Hoxhës duhet të pushohet dhe të shpallet i pafajshëm. E vetmja vepër penale tha avokati mbrojtës është ajo e armëmbajtjes pa leje.

Ndryshe nga Elvis Hoxha, shtetasi tjetër i akuzuar Ditmir Arifi ka treguar me detaje vrasjen e ndodhur. Sipas tij është Elvis Hoxha ai që ka qëlluar Hermes Beqirin. Sipas avokatit mbrojtës të Ditmir Arifit, klienti i tij, Elvis Hoxha dhe viktima janë takuar sëbashku me 4 nëntor 2017.

Ditmir Arifi tha se ka bërë një xhiro me motorin e viktimës duke qenë se njiheshin dhe më pas Ditmiri ka bërë një xhiro i vetëm me motorin e viktimës. Në atë moment Elvis Hoxha dhe Hermes Beqiri janë konfliktuar.

Viktima i ka marrë kapelen Elvis Hoxhës dhe i ka thënë se s’dua ta jap më. Më pas ia ka dhënë por e ka sharë Elvisin dhe e ka goditur, kjo sipas deklarimeve të palës mbrojtëse të Ditmir Arifit.

Më pas Elvis Hoxha ka marrë në motorin e tij Ditmir Arifin dhe janë larguar nga aty. Pasi janë larguar autori i dyshuar ka marrë në një kanal në lagjen Kiras një automatik kallashnikov por Ditmir Arifi nuk ka patur dijeni se shoku i tij ishte armatosur, këtë e ka thënë edhe vetë Hoxha në hetimet paraprake.

Janë rikthyer në vendin ku ndodhej Hermes Beqiri pas rreth 15 minutash dhe sipas Arifit Elvis Hoxha e ka qëlluar viktimën pa u ulur nga motori duke e lënë të plagosur rëndë.

Janë larguar përsëri me motorin e Elvisit dhe në lagjen Rus autori i dyshuar i ka kërkuar Ditmirit që të ulet nga motori tij. Ditmir Arifi ka shkuar në shtëpi ndërsa Elvisi drejt njësisë Rrethina ku edhe është arrestuar pak orë pas ngjarjes.

Kështu pala mbrojtëse e Ditmir Arifit dhe vetë i dyshuari deklaruan se s’kishte asnjë qëllim nga ana e Ditmirit për të vrarë Hermes Beqirin duke qenë se ata ishin shokë që më përpara dhe se Ditmiri nuk e ka ditur se Elvis Hoxha ka marrë armë.

Pala mbrojtëse kërkoi që vepra penale të ndryshohet nga “vrasje me paramendim” në “vrasje me dashje” sepse e gjithë ngjarja ka ndodhur për rreth 15 minuta dhe në gjaknxehtësi e sipër.

Pala mbrojtëse kërkoi dënim alternativ me shërbim prove për Ditmir Arifin duke patur parasysh rrethanat lehtësuese si tregimi i ngjarjes me detaje, pendimi për shoqërimin e autorit me motor dhe faktin se ka qenë i mitur por edhe se ka patur gjithnjë një sjellje të mirë.

Prokurori i çështjes Albert Murçaj vazhdoi t’i qëndrojë kërkesës së tij për 12 vite burg për Elvis Hoxhën dhe 8 vite burg për Ditmir Arifin duke thënë se pretendimet e avokatëve janë të pabazuara.

Në fund trapa gjykuese e drejtuar nga Arbër Çela shtyu seancën me 26 shkurt ku tashmë ka mbetur vetëm për t’u dhënë dënimi përfundimtar nga gjykata e shkallës së parë.

Artikulli paraprakSHKODËR, KËSHILLTARËT KRITIKA PËR FESTIMET E VLLAZNISË
Artikulli tjetërNDËSHKIM 25 ZYRTARËVE TË PORTIT TË DURRËSIT, AUDITI GJETI SHKELJE FINANCIARE