Pas shpalljes në kërkim të dy vëllezërve Kusi të akuzuar për vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj, policia ka arrestuar edhe xhaxhain e tyre, Lulzim Kusi. Ai dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen jashtë Shqipërisë pas ngjarjes.
Policia ka arrestuar xhaxhain e dy vëllezërve Albano dhe Griseldo Kusi, të cilët akuzohen se në muajin gusht kanë vrarë teknikun e kondicionerëve, Indrit Çelaj.
Lulzim Kusi dyshohet se i ka ndihmuar të largohen dhe t’i shpëtojnë Policisë, ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij në Vaqarr u gjetën një armë kallashnikov dhe municione.
Në shtator, policia shpalli në kërkim ndërkombëtar dy vëllezërit Kusi.
Dyshohet se të rinjtë janë larguar ilegalisht drejt Greqisë, kjo në bazë të verifikimeve qe hetuesit i kanë bërë antenave të telefonit.
Indrit Çelaj u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke kryer punime në tualetin e katit të parë për montimin e kondicionerit.
Nga hetimet doli se pas vrasjes viktima ishte qëlluar me sende të forta dhe disa herë në kokë, kjo për të inskenuar një rënie aksidentale të tij nga shkallët.
Por gjithçka u mbyll kur trupi i pajetë i 26-vjeçarit shkoi në Spitalin e Traumës dhe u fut në skaner, ndërkohë që e gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së objektit që po rikostruktohej dhe objekteve të tjera rreth vilës ku ndodhi ngjarja.
Kush janë dy vëllezërit në kërkim?
Dy vëllezërit janë përfshirë në ngjarje kriminale si vrasje e plagosje dhe tentativë vrasje.
Ata janë të përfshirë në ngjarje kriminale si vrasje, tentativë vrasje, plagosje. Ne 2010 Albano Kusi u ndalua nga policia për vrasjen e Shkëlqim Nozllit, për shkak të një borxhi të papaguar dhe pazare për blerjen e dy pistoletave ku ishin përfshirë dhe dy punonjës policie.
Ndërsa Griseldo Kusi në 2011 u ndalua nga policia pasi tentoi të vriste shtetasin Maksud Hysi në Mnik të Tiranës. Një vit më pas në 2012 tentoi të vriste një 26 vjeçar. Ky i fundit u qëllua me 4 plumba por fatmirësisht vetëm njëri e kapi në shpatull.
Indrit Çelaj u godit me plumb në kokë dhe vdiq në spital një ditë më pas.