Vrasja e Lamajt, Holanda vendos ekstradimin e Frrokut në Tiranë Holandë ka vendosur ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri.
Gjykata e Lartë holandeze ka refuzuar kërkesën e Frrokut për të qëndruar në këtë shtet, pasi sipas tij në Shqipëri i është bërë një gjyq politik. Gati një vit pas arrestimit të Frrokut drejtësia Holandeze, ka pranuar kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e Frrokut drejt Shqipërisë. Vendimi i gjykatës holandeze është bazuar në marrëveshjen ndërkombëtare për ekstradimet. Pas këtij vendimi, i dënuari me burgim të përjetshëm pritet të ekstradohet drejt vendit tonë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Këtë dënim Frroku e ka marë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj.Për këtë vrasje gjykata e Krimeve të Rënda e ka shpallur të pafajshëm Frrokun. Menjëherë pas lirimit nga qelia, Frroku ka qëndruar në Shqipëri për pak kohë, dhe është larguar me shpejtësi nga pika doganore e Muriqanit, 6 ditë përpara se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ta dënonte me burgim të përjetshëm. Pas këtij vendimi Frroku është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Por pas shumë kërkimesh ai u arrestua arrestua në një qytet të Hollandës. I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një komisari policie në Tiranë në 2013, u kap me pasaportë greke, me emrin Renato Tsepa. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët hollandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) grek të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë.Ndërkohë kujtojmë se edhe pas vrasjes së Dritan Lamaj, Frroku është larguar nga Shqipëria në drejtim të Selanikut, duke u arrestuar në një apartament në këtë qytet. Në Shqipëri, gjyqi ndaj Arben Frrokut në shkallën e parë, zgjati për shumë muaj, deri kur në prill të 2015, ai u shpall i pafajshëm. Dy muaj më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, mori një vendim tërësisht të kundërt duke e dënuar atë më burgim të përjetshëm. Por ndërkohë Frroku kishte lënë Shqipërinë. Tashmë edhe vllai i Arben Frrokut,ish-deputeti Mark Frroku është dënuar me 7.6 vite burg dhe ndodhet në qeli për akuzën e pastrimit të parave dhe ndërtimit të paligjshëm.