“Arrest me burg” me afat 40 ditë ka dhënë gjykata e shkallës së parë Shkodër për Marash Arra si dyshuar si autor i vrasjes së kushëririt të tij Lazër Arra. Ka qenë vetë prokurorja e çështjes Esmeralda Ndoci ajo e cila ka kërkuar këtë masë sigurie, “arrest me burg” me afat 40 ditor për të pritur aktet e ekspertimit për rrobat e autorit të dyshuar dhe prova të tjera plotësuese që nuk kanë përfunduar ende.

Në sallën e gjyqit prokurorja e çështjes ka paraqitur vetëm disa indicia duke qenë se pak minuta para vrasjes i dyshuari dhe viktima kanë qenë sëbashku dhe janë administruar bisedat telefonike të personave. Vetë i dyshuari si autor i vrasjes ka deklaruar përpara gjykatës së nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e kushëririt të tij dhe ka mohuar çdo akuzë të ngritur nga policia dhe prokuroria. I dyshuari ka dhënë dëshminë e tij përpara gjykatës duke treguar krejt ngjarjen e ndodhur.

“Një ditë përpara unë kam qenë me kushëririn në Dukagjin. Mua më ka thirrur babai për të shkuar sepse kam qenë në Shkodër dhe më telefonoi për ta ndihmuar për të sjellë prodhimet e dimrit. Një ditë përpara ngjarjes unë dhe kushëriri Lazri ishim sëbashku duke therur derrat për ta ngarkuar mishin dhe për ta dërguar drejt Shkodrës. Pas kësaj kemi marrë edhe prodhime tjera dhe i kemi ngarkuar në kalë dhe jemi nisur bashkë me Lazrin nga fshati drejt rrugës kryesore për të dalë tek furgoni dhe për të ikur drejt Shkodrës.

Diku në gjysmë të rrugës kushëriri më tha që të eci përpara për të ndaluar furgonin që të mos na ikte dhe ai u ul duke liruar disa rroba dhe që të pushonte pak sepse rruga nga fshati tek furgoni është e gjatë, rreth 40 minuta në këmbë dhe terreni është malor dhe kërkoi të pushonte. Unë kalova përpara dhe dola në rrugën kryesore. Pasi shkova atje dëgjova krismat por edhe pashë se po vonohej. Krismat nuk më bënë shumë përshtypje sepse ndodh shpesh atje që të ketë krisma por u shqetësova nga vonesa.

U ktheva për ta gjetur dhe e shikova rreth 500 metër më larg nga ku e kisha lënë unë i vdekur mes dy gurëve të mëdhenj që bënin hije. Kishte dy plumba në trup. Menjëherë kam lajmëruar familjarët tonë dhe në të njëjtën kohë edhe policinë. Kam ndihmuar maksimalisht policinë për ta zbardhur.

Unë nuk e kam vrarë dhe s’ka asnjë lidhje ndërkohë që nuk e di kush mund ta ketë bërë sepse rrugës s’kam parë asnjë njeri. Kur jemi nisur me kalë për të ngarkuar ushqimet kanë qenë në dijeni edhe familja ime edhe e kushëririt. Unë nuk jam autori ”.

Edhe avokati mbrojtës Agim Martini tha se klienti i tij nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur dhe kërkoi një masë lehtësuese sigurie por në fund gjyqtarja Ermira Dedja vendosi “arrest me burg” me afat 40 ditë për të pritur aktet e ekspertimit për rrobat dhe prova të tjera plotësuese. Lazër Arra u vra rreth orës 10:00 të 21 tetorit në fshatin Palaj të njësisë Shosh në Dukagjin.

Artikulli paraprakRIKONSTRUKSIONI I KANALITI UJITËS NË BERDICË
Artikulli tjetërSHKODËR, 42-VJEÇARI GJENDET I VDEKUR NË DYQANIN E TIJ