Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 5 persona në lidhje me vrasjen e Nikolin Lekstakaj në Balldre të Lezhës një ditë më parë. Por ende nuk ka asnjë të dyshuar! Pista kryesore e hetimeve është gjakmarrja, ndërsa policia nuk ka arritur që të identifikojë automjetin e përdorur nga autorët. Janë sekuestruar dhe po analizohen kamerat e sigurisë së bizneseve, të cilët mendohet të kenë filmuar lëvizjet e autorëve. Një atentat ndaj fisit Lekstakaj, ku i vrarë ka mbetur Nikolin Lekstakaj, djali i xhaxhait, të Elton Lekstakaj, i dyshuar si porositës për vrasjen e Ardjan Nikuljat në Shëngjin tronditi sërish Lezhën. Nikolin Marku Lekstakaj, 42 vjeç, u ekzekutua teksa po dilte nga market në Balldren.

Mësohet se Nikolin Marku Lekstakaj sapo kishte blerë një pije freskuese në market, brenda të cilit nuk kishte klientë të tjerë, përveç shitëses, e cila për fat të mirë nuk është dëmtuar. Gruaja pritet të jap detajet e para mbi ngjarjen para hetuesve të policisë dhe prokurorisë së Lezhës. Dyshimet e policisë lidhen me hakmarrjen apo gjakmarrjen e mundshme të fisit Nikulaj ndaj Lekstakajve, për shkak të mbiemrave që kanë lidhje me të shkuarën, pas një serie të gjatë vrasjesh nga të dyja palët. Ardian Nikulaj ishte i fundit që u vra më 19 prill 2023 në këtë seri vrasjesh të nisur që në vitin 1996.

Vrasja e Nikulajt dyshohet se u organizua nga Edmond Haxhia, djalë i dajës së Elton Lekstakajt, ndërsa ky i fundit është kushëri i parë me viktimën e sotme Nikolin Marku Lekstakaj. I dyshuari Edmond Haxhia, për të vrarë Ardian Nikulajn dyshohet pajtoi 5 të huaj, portugezin Ruben Saravia si ekzekutor dhe 4 britanikë në rolin e vëzhguesve. Në lidhje me vrasjen e ndodhur ne Balldre është marrë në pyetje dhe vëllai i viktimes Bledar Lekstakaj. Në deklarimet e tij para hetuesve ai ka thëne se sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ka qenë duke qëndruar në shtëpi me nënën e tij në momentin që Nikolini i ka marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka.

Ai është shprehur se pak minuta më vonë kishte dëgjuar krisma, por nuk kishte menduar se mund të ishte vrarë vëllai i tij. Më vonë është njoftuar për ekzekutimin. Ndërkohë një 16 vjeçar ka parë ekzekutimin dhe hetuesit e kanë marrë në pyetje të dhënë dëshminë e tij. Sipas dëshmisë së 16 vjeçarit autorët kanë qenë me një automjet te zi dhe janë larguar menjëherë pas krimit. Ai ka thënë se ka dëgjuar te shtënat dhe është tmerruar duke ikur me vrap në pjesën e pasme të marketit. Viktima kishte rreth 2 vite që qëndronte në Shqipëri dhe pas vrasjes se Ardian Nikulaj i kishte kufizuar lëvizjet.

Artikulli paraprakPYJE TË MBULUARA NGA ZJARRI DHE BANESA TË SHKRUMBUARA NË ATHINË, EVAKUOHEN BANORËT
Artikulli tjetërCIRKU KOMBËTAR SHFAQJE NË SHKODËR