Atentat i Durrësit i tipit mafioz la dy të vdekur.Në afërsi të Shkozetit në Durrës u ekzekutua me armë 39-vjeçari Edison Harizaj, ndërsa mbeti i plagosur rëndë shoku i tij Genci Coca, i cili më pas vdiq në spital.

Autorët e krimit dyshohet të kenë qenë një grup personash që udhëtonin në dy automjete.
Ata i kanë prerë rrugën makinës ku udhëtonin Harizaj dhe Coca është qëlluar në dy armë automatike me një numër të madh plumbash.

Një nga mjetet që u krye atentati është gjetur i djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes.Policia beson se motivi i krimit lidhet me të kaluarën e viktimave, veçanërisht të 39-vjeçarit Harizaj.

Ai njihej me disa pseudonime të ndryshme si ‘Edison Faqedjeguri’, ‘Edisoni i 7 pallateve’, por edhe si ‘El padrino’ në qytetin bregdetar të Vlorës.Vrasja e Edison Harizajt ka ndodhur për hakmarrje.

Kjo është pista kryesore mbi të cilën po heton policia. Hakmarrja ka ndodhur për një seri ngjarjesh kriminale që fillesën e tyre e kanë para viteve 2000 në Vlorë.

Për shkak të tyre, Harizaj dhe një miku i tij, po ashtu i përfshirë në këto ngjarje kriminale, kanë qenë në shënjestër të vrasësve gjatë këtij viti.

Sipas hetimeve të deritanishme, i zhdukuri në Vlorë, Albano Xhaferri ishte caktuar që të mbante nën vëzhgim Harizajn dhe mikun e tij, i cili më herët i kishte shpëtuar një atentati, për të kuptuar rutinën e tyre.

Xhaferri ishte porositur t’i gjente banesat, makinat, vendet që frekuentonin më tepër në mënyrë që të ndërtohej një pritë për t’iu bërë atentat.

Për këtë detyrë, që ai e kishte marrë nga Belgjika, Xhaferri kishte vënë në dijeni edhe shokun e tij Elton Troqe.

Por vetëm pak ditë pasi Xhaferri erdhi në Vlorë, për të kryer porosinë e marrë dhe nisi të gjurmojë personat së bashku me mikun e tij, u zbulua prej Harizajt dhe mikut të tij. Dy të rinjtë humbën kontaktet me familjarët dhe dyshohet të jenë vrarë.

Fill pas kësaj ngjarje Harizaj u zhvendos nga Vlora në Durrës ku jetonte në një banesë me qira pranë zonës së Plazhit në Durrës jo shumë larg vendit ku u vra.

Nisur nga ky episod, policia dyshon se vrasja e Harizajt, i cili ishte shënjestër i atentatit, është porositur nga Belgjika.

Është ende e paqartë nëse ekzekutimi është porositur me pagesë apo autori ka hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe ka kryer vetë ekzekutimin.

Autori i dyshuar është një person me precedentë penalë, i dënuar për vrasje, që ka mundur të arratiset nga burgu dhe prej kohësh strehohet në Belgjikë.

Ai cilësohet si njeri i rrezikshëm dhe pjesë e një bande kriminale në Vlorë.

Artikulli paraprakDROGËN E FSHIHIN NË MURE, KAPEN 5 SHQIPTARË
Artikulli tjetër270 KG HEROINE,KAPET NË PORTIN E XHENOVAS, VINTE NGA IRANI