10 vjet pas ngjarjes, vrasja e ish-deputetit socialisht Fatmir Xhindi mbetet pa autor. Gjatë një ceremonie të mbajtur në Roskovec në këtë përvjetor, përfaqësues të mazhorancës dhe familjarët shprehën besimin se drejtësia e re do të zbardhë këtë ngjarje.
Taulant balla nga ana tjetër zbuloi dhe një nga amanetet politike të Fatmir Xhindit.
Në Roskovec, u përkujtua ish-deputeti socialist Fatmir Xhindi i vrarë 10 vjet më parë në oborrin e banesës së tij, ngjarje që mbetet pa autor.
Ndaj djali që i ka zënë vendin në Kuvendin e Shqipërisë përsëriti thirrjen për zbardhjen e krimit.
Anduel Xhindi: U bënë 10 vjet që kur im atë është ndarë nga jeta dhe drejtësia edhe sot e kësaj dite nuk e ka thënë fjalën e saj. Ne si familjarë dhe gjithë zonën e Reskovecit e mundon akoma pyetja se kush e ka vrau Fatmirin dhe pse e vrau Fatmirin.
U bëj thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje në këtë mënyrë që të gjithë ne të biem rehat por edhe shpirti i Fatmirit të prehet qetësisht. Patjetër që kanë qenë të vështirta këto 10 vjet pa babain tonë, pa kryefamiljarin, pa shokun dhe pa mikun Fatmirin.
Taulant Balla e cilësoi ngjarjen e 3 majit 2009 një sulm ndaj opozitës që ata përfaqësonin dhe nuk e fshehu zhgënjimin nga reagimi i institucioneve të kohës. Por socialistët presin që këtë ta bëjë drejtësia e re që po ndërtohet.
Taulant Balla: Kolegët kur kanë ardhur në Roskovec me 3 maj 2009, erdhëm me krahë të prerë sepse ishte larguar për arsye ende të panjohura një prej njerëzve më të rëndësishëm të grupit parlamentar.Jam krenar për djalin e Fatmirit, Anduelin. Ne nuk e kemi harruar detyrën.
Një krim që goditi opozitën, por ne kurrësesi nuk ngritëm asnjëherë dorën dhe gishtin.
Në një kohë kur kriza politike është në pikën e vlimit, kreu i grupit të socialistëve zbuloi amanetin politik të Fatmir Xhindit.
Taulant Balla: Një prej amaneteve politike të Fatmirit ishte se “Shqipëria nuk ka nevojë për beteja, por për bashkëpunim mes partive politike”.
Në ceremonitë e mbajtura me këtë rast, në krah të familjarëve të Fatmir Xhindit ishin qytetarë , drejtues lokale dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.