Familjarët dhe miqtë e 29-vjeçarit, Pëllumb Marnikollaj, i cili u vra në një komisariat policie në Greqi, kanë protestuar para ambasadës greke në Tiranë.

Familjarët e të riut nga Lezha kanë kërkuar që të zbardhet vrasja e tij si dhe autorët të vendosen para drejtësisë. Babai i 29-vjeçarit ka thënë se djali i tij “vdiq nga dhuna e ushtruar nga autoritetet greke. Ky është krim shtetëror, dua të zbardhet e vërteta”. Pëllumb Marnikollaj, i cili jetonte si emigrant në Greqi, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në stacionin e policisë në Athinë, në fillim të muajit Gusht. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg dhe prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar, duke e lënë në detyrim paraqitje. Me datën 3 Gusht, me kërkesë të policisë greke, Marnikollaj ishte paraqitur në komisariat, ku pas disa orësh gjeti dhe vdekjen. Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë i emigrantit u gjet në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për t’u varrosur, duke u klasifikuar si kufomë pa identitet. Pak javë më parë, policia helene deklaroi se nga ekspertiza paraprake, në trupin e Marnikollaj janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemorragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe. Sipas versionit të policisë greke, më datën 3 Gusht, rreth orës 14:30, Marnikollaj është hedhur nga dritarja, pasi e kuptoi se do ta arrestonin. Sipas autoriteteve greke, për Pëllumb Marnikollaj kishte urdhra të tjera arresti, që duheshin zbatuar.

Artikulli paraprakSINDIKALISTËT PËR ARSIMIN: KY ËSHTË “SHTATORI I REGRESIT”
Artikulli tjetër“JAMES BOND”, KONTRATË FARAONIKE PËR DANIEL CRAIG