Do të zhvillohet me gjykim të shkurtuar procesi ndaj 27-vjeçarit Fitim Koldashi, i akuzuar për vrasje me dashje të Manuel Spinelli-t dhe armëmbajtje pa leje. Vrasja ndodhi në qershor të vitit të shkuar në Alba Adriatica të Italisë.
Këtë mëngjes, para gjyqtarit Roberto Veneziano, 27-vjeçari, i asistuar nga avokatia Paola Pedicone, ka kërkuar që të gjykohet me proces alternativ. Kërkesë që u pranua nga trupa gjykuese. Seanca e ardhshme u caktua për në 18 korrik.
Në seancë, sipas raportimeve të medieve italiane, ka pasur momente të tensionuara. Të afërmit e viktimës të pranishëm në gjykatë hodhën fjalë të rënda në adresë të shqiptarit, madje në një moment i ati i viktimës tentoi ta godasë me shqelm.
Në këtë pikë, gjykatësi vendoi ti largojë ata nga salla.
Krimi ndodhi në Alba Adriatica, provincë e Teramos, më 20 qershor. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, viktima, i cili ishte për darkë me disa të afërm, u takua më pas rastësisht me Koldashin.
Ky i fundit po lëvizte me një makinë, ku pasagjere ishte e dashura e shqiptarit, e cila në të kaluarën kishte pasur një lidhje me Spinelli-n.
Sipas hetimeve, shqiptarët kaloi shumë afër me makinë tek grupi i vogël që shoqëronte Spinelli-n, i ati dhe një tjetër person. Palët shkëmbyen fjalë fyese mes tyre.
Në atë moment, 27-vjeçari doli nga makina dhe aty nisi një konfrontim fizik. Në tension e sipër, shqiptari nxjerr thikën dhe qëllon dy herë italianin me prejardhje rome, në fytyrë dhe zemër, duke i shkaktuar vdekjen.
Thikën, e mbaja me vetë gjithmonë për tu mbrojtur, ka thënë Koldashi, i cili e ka pranuar krimin që më herët.