Mario Majollari u vra mbrëmjen e djeshme në moshën 28-vjeçare nga hasmi i babait të tij, babait që e kishte braktisur që në vogëli dhe sot gjendet i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje me paramendim.

I dënuari Avni Majollari nuk ka kërkuar leje për ta përcjellë djalin e vetëm për në banesën e fundit. Si rrjedhim, ai nuk do të jetë i pranishëm në jetën e vështirë të të birit as dhe në çastin e fundmë.

Sipas burimeve, Avni Majollari ka konflikt me familjen e ish-gruas, nënës së Marios, pasi ka vrarë kushurin e saj vite më parë; në vitin 2000 ai qëlloi për vdekje Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin në rrugën e Dajtit.

Kësisoj, Mario Majollari, varroset sot me dhimbje nga nëna e tij që e rriti e vetme me peshën e madhe të frikës së hakmarrjes mbi djalin për krimet e kryera nga i ati.

Mario ishte kthyer në Shqipëri i detyruar nga rrethanat: atij nuk iu pranua kërkesa për azil në Suedi, pavarësisht se e kishte të argumentuar me prova të gjalla se hasmëritë që kishte hapur i ati i burgosur ishin ende rrezik për jetën e tij.

Mario Majollari 28 –vjeç, banues në Kinostudio, në Tiranë, u ekzekutua me tre plumba natën e kaluar pranë banesës së tij. Atij iu bë pritë nga një person i armatosur në një rrugicë të errët, teksa po i afrohej shtëpisë. Vetëm 12 orë pas ngjarjes, Policia e Shetetit konfirmon se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të krimit, Kastriot Gjuzi, 40-vjeç.

Sipas të dhënave, i riu Majollari është vrarë për hakmarrje, pasi babai i tij, Avni Majollari ka vrarë dy persona, po për hakmarrje para 18 viteve në rrugën e Dajtit në kryeqytet. Një nga viktimat është Ilir Gjuzi, vëllai i Kastriot Gjuzit, i ekzekutuar në vitin 2000 nga Avni Majollari.

Ndërsa viktima e dytë, Armando Nelaj, ka qenë ish-kunati i Avni Majollarit. Kur babai i tij kreu krimin e dyfishtë, Mario Majollari ishte vetëm 10-vjeç.

Kastriot Gjuzi e ka ndjekur në këmbë për disa metra Mario Majollarin dhe në momentin kur i riu po i afrohej banesës, në një rrugicë të errët, e ka qëlluar atë për vdekje me tre plumba. 28-vjeçari ka humbur jetën në vend si pasojë e plagëve të marra në trup, pavarësisht se është tentuar t’i jepet ndihma e parë mjekësore.

Policia ka shkuar për kontrolle në banesën e Kastriot Gjuzit në zonën e Tufinës, por nuk e ka gjetur. Një nga pistat ku po hetohet ngjarja është pikërisht ajo e hakmarrjes për krimin e babait të Marios, Avni Majollari, 18 vjet më parë në rrugën që të çon për në Dajt, i cili la të vdekur Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin.

Mario Majollari kishte kërkuar azil në Suedi pasi i rrezikohej jeta nga një hakmarrje e mundshme për shkak të krimeve që mbanin autorësinë e babait të tij, por kërkesa i ishte refuzuar nga autoritetet suedeze. Ai kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri.

Kastriot Gjuzi ka pasur dijeni për kthimin e Mario Majollarit dhe natën e kaluar i bëri pritë duke e vrarë me tre plumba fare pranë banesës në kryeqytet. Vetë Mario Majollari nuk rezulton person me precendetë penal, ndërsa sipas fqinjëve ai nuk njihej si person problematik.

Ndërsa autori i dyshuar, Kastriot Gjuzi, rezulton i arrestuar në vitin 2015 për drejtim motori pa patentë.

Njoftimi i Policisë:Tiranë

Zbardhet në kohë rekord vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Aleksandër Moisiu”. Identifikohet e shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së 28 vjeçarit M.M.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në funksion të zbardhjes së ngjarjes ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor. Pas një pune intensive dhe profesionale, gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit, fiksimit të çdo prove në vendngjarje, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në D.V.P. Tiranë, bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar:• K.Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.M., 28 vjeç. Vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Vrasjes për gjakmarrje” , “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 78/a dhe 278/2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit K.Gj.

Artikulli paraprakPOLICIA E SHKODRES NDALON DY SHTETAS TE SHPALLUR NE KERKIM
Artikulli tjetërDY ADOLESHENTE INSKENOJNË VJEDHJEN, NJËRA PËRFUNDON NË SPITAL