Një ditë pas vrasjes në Rrëshen të biznesmenit Kastriot Reçi, policia ka shoqëruar 6persona por nuk ka ende asnjë të ndaluar. Sipas burimeve personat e shoqëruar po merren në pyetje rreth ngjarjes. Policia vijon kontrollet në zonë në lidhje me autorët të cilët dyshohet se kanë qenë dy persona. 47-vjeçari sipas hetimeve është qëlluar me snajper nga një distance 150 metra. Në momentin e ngjarjes viktima ka qenë së bashku me të vëllain dhe sapo kishin parkuar makinën e po hynin në lokalin ‘Mirdita’ në pronësi te tyre. I vëllai kishte hyrë disa sekonda më përpapara.
Pas kësaj ngjarje të rëndë i vëllai i viktimës që ishte dëshmitar ka rrëfyer dinamikën e kësaj vrasjeje të Kastriot Reçit. Një nga 7 vëllezërit Reçi ka treguar se në momentin e vrasjes është ndarë me të vëllanë në vetëm pak sekonda dhe e ka gjetur të vëllanë të të shtrirë përmbys dhe nuk ka pasur shumë gjak, ndaj e kanë dërguar menjëherë në spital por aty është konstatuar se kishte ndërruar jetë në vend. Plumbi, siç tregon i vëllai ka qenë mes shpatullave.
“Ne sapo kishim parkuar makinën dhe u nisëm drejt lokali ‘Mirdita’. Kastrioti po fliste në telefon dhe unë vazhdova më para dhe u futa në lokal. Akoma nuk isha ulur në karrige kur dëgjova njerëz tek bërtisnin dhe grumbulloheshin. Dola menjëherë i habitur pasi as krisma nuk dëgjova, dhe pashe vëllain të shtrirë përmbys. Nuk kishte shumë gjak në rrugë dhe menjëherë e dërguam tek spitali. Kur e zhveshëm në spital, pamë që ai kishte marrë një plumb mes dy shpatullave dhe kishte ndërruar jetë menjëherë”.
Më 2017 Reçit iu vra edhe vëllai Gaspër Reçi, ndërsa dyshohet se si motiv të ngjarjeve janë prishja e pazareve të drogës mes dy bandave. Burime bëjnë me dije se lufta mes dy bandave nisi me vrasjen e ish-drejtorit për OSHEE për veriun, që pasoi me disa ngjarje të tjera kriminale, vrasje këto që kanë ndodhur në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë, dyshohet se rrjedhin nga një konflikt mes dy familjeve me influencë në qytetin e Rrëshenit. Pavarësisht hetimeve që po bëhen deri më tani policia ende nuk ka arritur që të identifikojë autorët e kësaj vrasje.