Policia e Tiranës në bashkëpunim me policinë vendore të Shkodrës kanë shoqëruar dy shtetas nga Shkodra që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës në kryeqytet. Me dhjetra forca policie kanë zbarkuar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në hyrje të qytetit të Shkodrës për të shoqëruar dy shtetasit që dyshohen se mund të kenë lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së Hekuran Billës.

Fillimisht dy shtetasit kanë tentuar që t’i largohen policisë por më pas efektivët kanë arritur që t’i ndalojnë në një fushë me të mbjella afër hyrjes së qytetit. Sipas burimeve nga vendngjarja nga efektivët ka patur edhe të shtëna që dyshohet se kanë qenë në ajër si një paralajmërim për dy shtetasit që më pas janë shoqëruar. Të pranishëm në këtë aksion kanë qenë edhe drejtues të policisë së Shkodrës të cilët kanë ndjekur nga afër gjithçka deri në momentin e shoqërimit të këtyre dy shtetasve drejt policisë së Tiranës.

Sipas burimeve operacioni është udhëhequr nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit të mirëorganizuar. Për vrasjen e Hekuran Billës policia ka arrestuar 22 vjeçarin Sebastiano Mali dhe tashmë ka shoqëruar edhe dy të rinjtë nga Shkodra. Dy të shoqëruarit dyshohet se janë identifikuar pas verifikimeve që policia ka bërë në mjetet e përdorura nga autorët e dyshuar të cilat rezultojnë të dhëna me qira. Nga kontrolli i banesave të tyre policia ka sekuestruar edhe armë.

Mësohet se fillimisht i arrestuari Sebastiano Mali nuk ka pranuar të ketë lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa. Ai ka thënë se prej muajsh jeton në zonën e ish-klubit partizani në Tiranë. I pyetur për lëvizjet e tij ai ka mohuar se e ka ndjekur 40-vjeçarin. “Kisha marrë një mjet “BMË X6″ me qira. Nuk e kam gjurmuar viktimën, isha në zonë për qejf”, ka deklaruar Mali.

Sipas burimeve, makinat e përdorura nga Sebastjano Mali dhe Viktor Marku që është vëllai i Prel Markut ky i fundit i vrarë nga Hekuran Billa Mali kanë qenë të marra me qira në Shkodër dy dyshohet se janë marrë nga familjarë të Sebastjanos. Viktor Marku nuk është gjetur në banesë kur policia ka bërë kontrollin ndërsa vijojnë hetimet për këtë ngjarje në të cilën dyshohet se kanë lidhje disa shtetas nga Shkodra.

Artikulli paraprakMETA: SHUMICA TEATËR ME DEKRETET QË RRËZOI, I TËRHEQ VËMENDJEN PËR BORXHIN PUBLIK
Artikulli tjetërSHKODËR, DËSHTON KËSHILLI, TË MAJTËT TË PËRÇARË