Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e cila u vra pak muaj më parë, ka takuar dy fëmijët e saj, Dionin dhe Diarin. Leonardi tha se nipërit e tij kishin një kërkesë dhe ajo ishte që të vijnë në Kosovë dhe të vendosin lule tek varri i së ëmës. “Sot i takova nipat Dionin dhe Diarin, fëmijët e Liridonës tonë, pas disa muajsh dhe pas një ngjarje tragjike që do t’i përcjellë tërë jetën. U përqafuam gjatë. Ata e patën vetëm një kërkesë: a mundemi të vijmë në Kosovë që të dërgojmë lule te varri i nënës? Falënderojmë shërbimet sociale në Suedi për kujdesin profesional”, ka shkruar Leonard Ademaj.
Vrasja e Liridona Ademaj ndodhi më datë 29 nëntor 2023 në fshatin Bërrnicë të komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona. Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ka qenë pjesëtar i FSK-së.
Raportohet se ai ia ka gjetur vrasësin Murselit. Të tre u arrestuan disa orë pas varrimit të Liridonës. Gjithashtu në pranga ka përfunduar edhe një person i katërt, që dyshohet se është përfshirë në këtë vrasje. Tomë Dodaj dyshohet se ia ka shitur armën e krimit Naim Murselit dhe autorit të krimit Granit Plavës. Naim Murseli kishte thënë fillimisht se vrasja ishte grabitje, por se më pas është zbërthyer gjithë skema e ekzekutimit.