Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 15 vjeçarin Ergys Malja i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Endri Mustafa mbrëmjen e 15 majit në zonën e Livadeve në Shkodër.
Në seancën për masën e sigurisë 15 vjeçari nuk ka pranuar që të japë asnjë deklaratë përpara gjykatës. Avokati mbrojtës për shkak të moshës së tij kërkoi një masë më lehtësuese ndërsa prokurori Gëzim Spahiu kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën e dha gjykata.
Seanca për masën e sigurisë ka zgjatur pak minuta ndërsa në mjediset e jashtme të gjykatës kishte forca të shtuara sigurie. Ndërkohë është zbardhur dëshmia e 15-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e Endri Mustafës që ka dhënë në policinë vendore të Shkodrës pas arrestimit.
15 vjeçari ka akuzuar drejtpërdrejt Ibrahim Licin si autor duke treguar dhe bisedën e fundit mes tij dhe viktimës. Ai ka thënë se me viktimën kishin bërë diskutim hashashi dhe natën e ngjarjes, kishte shkuar për ta ndihmuar 15-vjeçarin ta çonte kanabisin në shtëpi.
“Më 15 maj gjatë drekës çova në banesën e Endrit një qengj të blerë në Postribë pasi ma kishte kërkuar Endri, i cili fillimisht më dha 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, nga ora 19:00 edhe 70 mijë të tjera.
Atë ditë biseduam për punë hashashi, pasi i kisha thënë Endrit se kisha mbjellë rreth 150 rrënjë hashash 3-mujorsh në livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do më ndihmonte ai që ta merrnim e ta çonim tek shtëpia ime për ta tharë. Pas kësaj bisede ne u nisëm nga banesa jonë rreth orës 21:30 ose 22:00. Unë i çova në Instagram një foto kali, si kod që Endri të dilte jashtë për t’u nisur për në Livadhe.
Pasi u takuam pas banesës së Endrit, u nisëm më këmbë drejt livadeve, duke kaluar rrugën e Bypass-it dhe pasi shkuam diku afër livadit të Endri Mustafës u kthyem djathtas për të dalë në një vend tjetër të quajtur “Gropat e ekskavatorit” ku kisha mbjellë hashashin.
Aty na doli para Ibrahim Lici me armë në dorë dhe qëlloi direkt mbi Endrin, i cili u shtri në tokë dhe i tha ‘aman mos më vrit pash Zotin se kam fëmijë’. Ai e qëlloi përsëri, madje edhe në fytyrë duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj Ibrahim Lici u largua me motor nga vendi i ngjarjes, unë ika me vrap për në shtëpi andej nga erdhëm”.
Pas kësaj deklarate policia e Shkodrës shpalli në kërkim shtetasin Ibrahim Lici por babai i këtij të fundit ka mohuar se djali i tij është autor i kësaj vrasjeje dhe këtë e vërtetojnë kamerat e sigurisë duke pretenduar se Ibrahim Lici natën e vrasjes ka qenë në një vend tjetër i filmuar nga kamerat.