Familja e Liridona Ademajt, të resë që u vra me armë zjarri në një skenar të improvizuar nga i shoqi, i është drejtuar Prokurorisë me një kërkesë, për t’u informuar më shumë për rastin e vrasjes. Sipas mediave në Kosovë Leonardi, vëllai i Liridonës, thotë se kërkesa është urgjente, pasi prokuroria nuk i ka kontaktuar asnjëherë për rastin.
“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj. Ne jemi thellësisht falënderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media”, shprehet ai.
“Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, thuhet në kërkesën e familjes Ademaj.