Policia e Lezhës ende nuk ka një të arrestuar të dyshuar për vrasjen e efektivit të FNSH, Xhulio Prela, vrasje e ndodhur të shtunën në fshatin Gajush. Burime zyrtare të policisë lokale, pohuan se dhjetëra persona janë marrë në pyetje për të ndihmuar për zbardhjen e vrasjes, por pa arritur dot të mbledhë dëshmi bindëse.
Një burim policor thotë se në pyetje janë marrë personat që kanë pirë kafe apo shokë të 26-vjeçarit që ka patur kontakt në ditët e fundit, po ashtu edhe rrethi familjar apo të afërm të tjerë por deri më tani ende nuk ka një autor të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Familjarët kanë deklaruar se Xhuljo Prela ishte i qetë dhe se nuk kishte shfaqur probleme kohët e fundit duke mos i dhënë një pistë të mundshme policisë.
Pista kryesore që po hetohet është ajo e ndonjë konflikti personal që mund të ketë pasur 26-vjeçari me ndonjë person gjatë ditëve të fundit, por që nuk iu ka rrëfyer familjareve apo shokëve të tij. Gjithashtu po verifikohet edhe veprimtaria e vëllait të viktimës, i cili prej disa kohësh është emigrant në Britaninë e Madhe.
Ndërkohë referuar dinamikes së ngjarjes, dyshimet janë se efektivi i policisë ka komunikuar në telefon para se të vritej, pasi ndonëse kishte përshkuar disa metra rrugë në drejtim të Tiranës është kthyer sërish në vendin ku po e prisnin autorët pranë fshatit Gajush të Lezhës. Kamera e sigurisë e një biznesi pranë vendit të ngjarjes ka fokusuar momentin kur Xhulio Prela është afruar dhe ka biseduar me njërin nga personat që ndodheshin aty dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.
Por në pamje është mjaft i vështirë identifikimi i automjetit të autoreve, duke qenë se aty pranë ka qenë i parkuar dhe një mjet i tonazhit të rëndë i cili ka penguar pamjen e plotë. Nga ana tjetër bëhet e ditur se pas ngjarjes, makina e autoreve është larguar përgjatë superstradës në drejtim të Laçit dhe pa shkuar në Milot janë futur në ndonjë rrugë dytësore.
Kjo për faktin se nga kçyerja e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë superstradës në drejtim të Laçit nuk shihet ndonjë automjet duke lëvizur pas ngjarjes.