Një vrasje e dyfishtë ndodhi në plazhin e Velipojës mbrëmjen e kaluar. Shtetasit Ersild Ishmi 33 vjeç dhe Arsid Hoxha 22 vjeç mbetën të plagosur rëndë dhe më pas ndërruan jetë në spitalin rajonal të Shkodrës duke mos arritur të përballojnë plagët e marra. 33 vjeçari Ishmi mori dy plumba në gjoks dhe një në bark ndërsa 22 vjeçari Hoxha u qëllua me një plumb në gjoks dhe një në bark. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe shtetasi Zyber Zagradi, kamarier i një lokali i cili mori një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia vendore e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të kësaj ngjarje shtetasit Edmir Frroku dhe Gëzim Frroku, vëllezër me njëri tjetrin, ndërsa ka arrestuar Mario Palin 29 vjeç banues në Shkodër dhe të plagosurin Zyber Zagradi 26 vjeç të dyshuar si bashkëpunëtor të autorëve.

Fillimisht viktimat dhe autorët janë përleshur me njëri-tjetrin fizikisht dhe më pas Ersild Ishmi dhe kunati i tij Arsid Hoxha u qëlluan me armë zjarri pistoletë nga dy të dyshuarit, vëllezërit Frroku, pronar të hotel Holiday në Velipojë. Konflikti ka nisur në 28 qershor të këtij viti kur kamarieri dhe kuzhinieri i atij hoteli u përfshinë në një konflikt dhe dy pronarët Frrokaj ndërhynë për t’i qetësuar. Atë ditë shtetasi Ersild Ishmi i cili kishte lidhje miqësore me kamarierin ka shkuar në Velipojë dhe dyshohet se ka kërcënuar me armë kuzhinierin. Në atë moment njëri prej pronarëve Edmir Frroku ka ndërhyrë duke ia hequr pistoletën nga dora dhe më pas ka lajmëruar policinë.

Efektivët pas dy javësh nga ajo ngjarje arrestuan Ersild Ishmin por gjykata e Shkodrës e la me masën “arrest shtëpie”. 33 vjeçari deri natën e 19 gushtit, kur u vra ishte me këtë masë sigurie por e theu arrestin e shtëpisë duke marrë me vete edhe kunatin e tij dhe duke ikur në drejtim të Velipojës. Pas përfshirjes në konfliktin fizik me vëllezërit Frrokaj që zgjati disa minuta dy të rinjtë u plagosën rëndë e më pas ndërruan jetë në spitalin e Shkodrës. Policia e Shkodrës vijon punën për gjetjen dhe kapjen e dy vëllezërve Frrokaj dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Artikulli paraprakSHISNIN KANABIS NË QYTETIN E SHKODRËS, ARRESTOHEN 3 SHTETAS
Artikulli tjetërXHAXHAI I AUTORËVE TË DYSHUAR: DREJTËSIA NA MORI NË QAFË