Policia greke ka reaguar pas disa vrasjeve të shqiptarëve, të ndodhura kohët e fundit në vendin fqinj.
Në deklaratën e policisë greke thuhet se “në lidhje me vrasjet e fundit të shtetasve shqiptarë në Greqi, të gjitha rastet, policia greke ka nisur hetimet paraprake dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme proceduriale në bashkëpunim me prokurorinë, me qëllim zbardhjen e rasteve, krijimin e akuzave si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
“Sqarojmë se të gjitha ngjarjet janë zbardhur”, përfundon njoftimi.
Për ngjarjet ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Greqisë.
Aleksandros Genimatas, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për këtë çështje, tha se të gjitha këto raste janë nën hetim nga autoritetet.
“Greqia është një vend evropian dhe sundimi i ligjit funksionon në mënyrë efektive. Autoritetet kompetente i kanë referuar këto raste në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të cilat tashmë po hetohen, siç thuhet edhe në njoftimin e policisë greke. Ne dënojmë të gjitha format e dhunës dhe racizmit, të cilët kushtojnë jetë njerëzore.
Deklaratat e Ministrisë së Jashtme Shqiptare që i lidhin veprat penale me akte të urrejtjes dhe dhunës, nuk korrespondojnë me realitetin dhe kjo është e papranueshme.
Gjithashtu, në pritje të konkluzionit përfundimtar për vdekjen e shtetasit grek Kostandino Kaçifas nga policia shqiptare, i bëjmë thirrje Ministrisë së Jashtme të vendit fqinj që të tregojë përgjegjshmëri dhe kërkohet qetësi e përmbajtje”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Gjatë dy javëve të fundit, 4 shqiptarë kanë humbur jetën në Greqi. Përpara vrasjes së 18-vjeçarit Marios Isak, janë ekzekutuar 63-vjeçari Petrit Zifle, i cili u vra në Korfuz nga një grek, pjesëtar i ‘Agimit të Artë’.
Shkak i ngjarjes dyshohet se ishte konflikti mes të dyve në një lokal për ekzekutimin e Kostandinos Kaçifas në Bularat. Një tjetër shqiptar humbi jetën në burgun e Trikallës në rrethana të mistershme, ai dyshohet se është vrarë.
Ndërsa viktima e katërt është Altin Mullai, i cili u vra më 22 Nëntor në një shkëmbim zjarri me policinë greke në zonën e Janinës. 39-vjeçari së bashku me dy persona të tjerë po trafikonin 166 kilogramë kanabis në Greqi.