Shkodra është rrethuar nga dhjetra forca policie të ardhura edhe nga Tirana. Specialistë të forcave RENEA, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës
bashkë me forcat Shqiponja dhe struktura të tjera policore që në orët e para të mëngjesit kanë zbarkuar në Shkodër duke vijuar kontrolle në disa prej lagjeve të qytetit.
Këto kontrolle policore kanë nisur që në lagjen Rus për të vijuar në Kiras, zonën e Livadeve ku janë kryer një sërë krimesh si dhe në zonën e Dobraçit.
Efektivë të maskuar dhe armatosur bashkë me blindat e policisë kanë vijuar pa ndërprerë këtë aksion në qytetin e Shkodrës, qytet i cili brenda 3 muajsh pati 6 vrasje të ndodhura bashkë me dy persona që rezultojnë të zhdukur që nga 23 gushti i këtij viti.
Policia ka ushtruar këto kontrolle jo vetëm në rrugë por edhe dyqane, lokale dhe shtëpia të ndryshme.
Nuk kanë munguar as snajperat të shpërndarë në pozicione të ndryshme në gjendje gatishmëria bashkë me ambulancën në rast të ndonjë situatë të vështirë të shkëmbimit të zjarrit.
Ky aksion blic i policisë i iniciuar nga drejtoria e përgjithshme vjen menjëherë pas ardhjes së krerëve të opozitës në Shkodër dhe deklaratave të kreut të PD Lulzim Basha apo ish-kryeministrit Sali Berisha se qeveria ka rënë përballë krimit në qytetin e Shkodrës.
Kontrollet janë bërë në mënyrë të imtësishme duke u fokusuar kryesisht tek armët, mjetet e blinduara pa dokumentacionin përkatës apo edhe lëndë narkotike ose persona të rrezikshëm që mund të jenë prej kohësh në kërkim policor dhe deri më tani nuk janë arrestuar ende.
Prania e këtyre forcave të shtuara të policisë në Shkodër është edhe si një mesazh për qytetarët që ata të mos ndjehen të frikësuar ndaj krimit i cili në 3 muaj ka marrë 6 jetë njerëzish dhe dy të tjerë të zhdukur.
Këto aksione janë bërë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë ku vrasjet dhe terrori kanë njohur një rritje.