Thika me të cilën u vra 14-vjeçari nga një bashkëmoshatar i tij të hënën e 18 tetorit ende nuk është sekuestruar nga grupi hetimor. Autori i vrasjes, tashmë i arrestuar, nuk ka pranuar që të tregojë para grupit hetimor se ku e ka fshehur armën e krimit me të cilën goditi Canin dhe shokun e tij, ndërsa mbeti edhe vetë i plagosur pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë. Para grupit hetimor ai ka thënë se thikën nuk e ka pasur me vete brenda ambienteve të shkollës, por e kishte fshehur diku aty afër.
14-vjeçari ka treguar që sherri kishte nisur që ditën e premte, 15 nëntor. Sipas pretendimit të tij, gjithçka ka nisur se Cani “po e shihte” dhe kështu mes tyre kishte nisur një debat që të miturit e kishin lënë për “ta sqaruar”.
Në dëshmi, 14-vjeçari ka pohuar se me Canin është zënë edhe të hënën.Dy të miturit të hënën janë zënë brenda ambienteve të shkollës, episod në të cilin kishte ndërhyrë edhe oficerja e sigurisë, por djemtë janë shprehur se e zgjidhën pasi e gjitha ishte një keqkuptim.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishim lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë ai.
Gjithçka është mbyllur aty për aty pa u bërë e madhe dhe pa thërritur në shkollë prindërit e të miturve të përfshirë në debat. Sipas dëshmisë së autorit, të dy më pas kanë lajmëruar shokët dhe pas mësimit ka nisur edhe përleshja me grushte në një rrugicë qorre vetëm 200 metra larg shkollës.