Vrasja e Albert Kransiqit nga babai i tij, Skënder Krasniqi, tronditi gjithë Kosovën në janar të këtij viti. Albert Krasniqi nuk ka qenë emër i panjohur për publikun, pasi ai ka pasur miqësi me shumë personazhe VIP. Madje në vitin 2016-të i ndjeri plagosi në mes të Prishtinës reperin Noizy. Gjithçka ndodhi më datë 13 shtator 2016, ndërsa dy vite më vonë dyshja edhe pse ishin pajtuar, gjykata i dënoi. Reagime të shumta pati rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, teksa vendimi për babain e tij është dhënë vetëm sot.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me tre vite e pesë muaj burg, për veprën penale ‘vrasje nga pakujdesia’. Sipas komunikatës, dënimi i tij do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.K për veprën penale Vrasja nga pakujdesia nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021. Të pandehurit S.K i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim sipas aktgjykimit të shpallur nga kjo Gjykatë”, thuhet më tej në komunikatë.